18 mijë biznese borxhlije në tatime, gjysma janë në Tiranë
Pëlqej
Lista e bizneseve që nuk arrijnë të shlyejnë në kohë detyrimet tatimore po rritet me shpejtësi, teksa shihet se gjysma e tyre në vështirësi për të përmbushur detyrimin ndaj arkës së shtetit, është në Tiranë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deri në fund të prillit, numri total i bizneseve që u përfshinë në listën e zezë arriti rreth 18 mijë, ndërsa 8023 prej tyre kishin aktivitet në Qarkun e Tiranës, duke përbërë 48% të totalit të bizneseve borxhlije.

Kjo lidhet me faktin se bizneset në Tiranë janë më të formalizuara në pagesën e taksave. Kryeqyteti në vitin 2016 ka paguar 27,4% të PBB se vetë qarkut, niveli më i lartë ndër 12 qarqet e tjera.

Durrësi dhe Fieri, gjithashtu janë qarqet ku janë të përqendruara bizneset me borxhe në Tatime përkatësisht me 14 dhe 15% të totalit të bizneseve me detyrime.

Teksa shihet që në qarqet me informalitet të lartë gjithashtu ka numër më të ulët të bizneseve të regjistruara me borxh tatimor, të tilla si Kukësi, Dibra dhe Lezha, por ato kanë gjithashtu një ekonomi më të vogël se qarqet e tjera.

Borxhi tatimor është rritur me shpejtësi vitet e fundit, si pasojë e kushteve të vështira në të cilat ka kaluar ekonomia. Bizneseve u është dashur të operojnë në një ambient të vështirë ku ka dominuar rritja e taksave, rënia e kërkesës dhe mungesa e kredisë bankare.

Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, borxhi ndaj institucionit arriti në fund të vitit 2016 në më shumë se 147 miliardë lekë (1.07 miliardë euro). Kjo shumë zotërohet nga mbi 780 mijë biznese dhe individë në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave zyrtare, stoku i borxhit, deri në fund të vitit 2016 përbëhet kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura nga 2-5 vite me një peshë prej 34% të totalit të borxhit.

Mundësi potencialisht më e madhe për t’u arkëtuar nga ana e drejtorive rajonale, është vlera e borxhit me moshë deri në 2 vjet, e cila përbën 41% të stokut të borxhit, referojnë tatimet.

Nga të dhënat rezulton se edhe në 12 muajt e fundit (deri më 31 dhjetor 2016) është shënuar rekord për sa i përket krijimit të borxhit tatimor, që në total për periudhën në fjalë arrin në 45 miliardë lekë (330 milionë euro), apo gati 31% e stokut të borxhit tatimor të krijuar në vite.

(4.2% borxhi deri në 3 muaj; 3.8% deri në 6 muaj dhe 22.65 borxhi i moshës nga 6 në 12 muaj)

Në ndarjen e borxhit, sipas llojit të tatimit, TVSH-ja zë peshën më të madhe të totalit të stokut të borxhit, ndjekur nga zëri ‘Të Tjera’ me 29%, dhe më pas nga Tatim Fitimi, Sigurime Shoqërore Shëndetësore dhe TAP. /MONITOR/

Shtuar më 18/05/2017, ora 12:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori