17 të vdekur nga koronavirusi, Manastirliu zbulon 3 armët e vetme kundër COVID-19
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta
Manastirliu ka reaguar pasi sot është shënuar shifra më e lartë e jetëve të humbura nga koronavirusi në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë.
Sipas Manastirliut, shifra e 17 viktimave lidhet me rritjen e numrit të të infektuarve në dy javët e fundit, ndaj ngre pyetjen nëse të gjithë po përdorin
armët që ka e gjithë bota: Maska, distanca, higjena.
Me anë të një shkrimi në Facebook,
Manastirliu bën sërish thirrje që të gjithë të kujdesen për të mos u infektuar ndërsa kujton se pavarësisht përpjekjeve, kapacitetet në spitale nuk janë të pafundme.
Ogerta
Manastirliu: Sot Shqipëria shënoi numrin më të lartë ditor të viktimave nga
Covid-19. Një fakt që reflekton shtimin e numrit të të infektuarve gjatë dy javëve të fundit.
Sot më shumë se kurrë,
gjithësecili prej nesh duhet të marrë përgjegjësinë, për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Armët që ka sot e gjithë bota janë zbatimi i tre rregullave: #MASKA, #DISTANCA, #HIGJIENA.
A po i zbatojmë ato, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur njerëzit e dashur dhe për të treguar solidaritetin me autoritetet shëndetësore, në këtë luftë të paprecedentë për jetën?
Pyeteni veten ju lutem, çdo herë që dilni nga shtëpia: A jam duke i përdorur këto armë? Shkujdesja, shpërfillja dhe mohimi janë aleatët më të mirë të
Covid-19.
Sot është dita kur duhet të peshojmë mirë çdo veprim tonin, për të mos i hapur rrugë virusit të rrezikshëm, për të mos e lejuar të na dëmtojë njerëzit e dashur. Ne do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin që mundemi, duke mos kursyer asgjë nga kapacitetet tona, të cilat siç e dini, nuk janë të pafundme.
Por siç e kam përsëritur me dhjetëra herë: Përhapja e virusit nuk parandalohet në spitale. Atë e ka në dorë
gjithësecili prej jush!
Shtuar më 23/11/2020,
ora 19:33