17 shtator nis konsultimi për planin urbanistik të kryeqytetit
Në datën 17 shtator do të nisin konsultimet për planin urbanistik të kryeqytetit. Sipas Bashkisë, plani urbanistik i Tiranës do jetë në konsultim me qytetarët, duke filluar nga njësia bashkiake nr 8.

“Në konsultime do të përshihen edhe grupet e interesit. Pas 20 vitesh Tirana do ketë planin e përgjithshëm të zhvillimit. Plani i përgjithshëm i Tiranës nga ekspertë të njohur vendas.”- bëri të ditur Bashkia e Tiranës.

Bashkia e Tiranës, 10 projekt/vendime të reja në Këshill
Këshilli Bashkiak do të mblidhet nesër pasdite për të miratuar 10 projekt/vendime të reja. Burime nga Bashkia e Tiranës konfirmojnë se në Këshill do të diskutohet për miratimin e një ndryshimi në vendimin për "Sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës".

Nga legjislacioni në fuqi lind nevoja e një ndryshimi të vendimit të Këshillit Bashkiak nr.3, datë 05.02.2007 për "Sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës", përkatësisht në pikën 1.1 shkronja 'd', duke bërë një ndarje të zonave dhe përqindjen përkatëse të kësaj takse sipas kategorive dhe nënkategorive në secilën zonë. Gjithashtu në zbatim të përcaktimeve të kuadrit ligjor mbi planifikimin e territorit lind e nevojshme të bëhen ndryshime edhe në procedurën dhe afatet e vjeljes së kësaj takse.

Në lidhje me subjektet e lojërave të fatit do të diskutohet një ndryshim në vendimin për "Sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore në Qytetin e Tiranës” (i ndryshuar), ku përveç rigrupimit të këtyre subjekteve, parashikohet edhe vendosja e një takse te përkohshme sipas modaliteteve të përshkruara në projektvendim.

Bashkia ka paraqitur në Këshill pr/vendimin për "Miratimin e treguesve të realizimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2011”. Sipas informacioneve, operimi në kushtet e buxhetit të përkohshëm ka mundësuar financimin vetëm për projektet e investimeve në vazhdim dhe të realizimit të shpenzimeve më të domosdoshme për shërbimet ndaj qytetarëve. Gjithashtu buxheti i vitit 2011 është përqëndruar kryesisht në ofrimin e shërbimeve bazë të Bashkisë së Tiranës, si shërbimi ndaj fëmijëve në çerdhe e kopshte, mirëmbajtja e shkollave, shërbimi në qendra sociale, etj, si dhe realizimi i shpenzimeve më të domosdoshme të shërbimit ndaj qytetarëve si ndriçimi i qytetit, etj.

Një tjetër pr/vendim ka të bëjë me një ndryshim në emërtimin dhe intenerarin e Linjës nr.10 "Parku i Madh Kombëtar-Qendër”, të miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak nr.25, datë16.05.2006 mbi "Përcaktimin e linjave të transportit qytetës të udhëtarëve, mënyrën e organizimit të shërbimit dhe ripërcaktimi i stacioneve të qëndrimit të autobusëve të shërbimit në këto linja (i ndryshuar)". Sipas Bashkisë, ky ndryshim vjen si nevojë e studimit më të detajuar të zonës që përshkon kjo linjë, për faktin që intenerari i sotëm i miratuar i kësaj linje kalon në rrugën "Ismail Qemali", në zonën e ish- Bllokut dhe për përmirësimin e shërbimit të transportit publik.

Linja në fjalë, e cila propozohet të emërtohet Linja 10 "Qendër – Kopështi Zoologjik (pranë parkut tek Liqeni Artificial) – Qendër", do të ketë këtë intenerar: Fillon në Qendër, në afërsi të lulishtes tek Banka e Shqipërisë (stacioni i nisjes), kalon në rrugën “Ibrahim Rugova" deri në kryqëzimin me bulevardin "Gjergj Fishta" dhe vazhdon në rrugën "Sami Frashëri", kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, deri tek Kopshti Zoologjik.
Kthimi është parashikuar në të njëjtën gjurmë deri në kryqëzimin me bulevardin “Bajram Curri”, vazhdon deri në kryqëzimin me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vazhdon përgjatë bulevardit “Zog I” deri tek kryq¸zimi i tij me rrug¸n “Ded Gjo Luli", duke u pozicionuar në stacionin e nisjes.

Këshilli do të diskutojë edhe një ndryshim shtesë në rrjetin e linjave qytetase të transportit të udhëtarëve, të miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak nr.25, datë16.05.2006 mbi “Përcaktimin e linjave të transportit qytetës të udhëtarëve, mënyrën e organizimit të shërbimit dhe ripërcaktimi i stacioneve të qëndrimit të autobusëve të shërbimit në këto linja”(i ndryshuar)".

Bëhet fjalë për shtimin e një linje për transport qytetës me emërtimin "Linja 14 Qendër- Qendra Kristal- Qendër”. Kjo linjë fillon në Qendër, në afërsi të lulishtes tek Banka e Shqipërisë (stacioni i nisjes), kalon në rrugën “Ibrahim Rugova” deri në kryqëzimin me bulevardin "Gjergj Fishta” dhe vazhdon në rrugën “Sami Frashëri" deri në kryqëzimin me rrugën "Sulejman Delvina", vazhdon përgjatë kësaj rruge deri në kryqëzimin me rrugën “Medar Shtylla” dhe ndalon tek Qendra “Kristal” në rrugën "Prokop Mima" (stacioni i fundit). Kthimi është në rrugën “Prokop Mima”, kthehet në rrugën “Medar Shtylla”, vazhdon në rrugën “Komuna e Parisit” deri në kryqëzimin me bulevardin “Bajram Curri”, kthehet në rrugën “Sami Frashëri” deri në kryqëzimin me rrugën “Myslym Shyri”, vazhdon deri në kryqëzimin me bulevardin "Dëshmorët e Kombit”, vazhdon përgjatë bulevardit “Zog I” deri tek kryq¸zimi i tij me rrug¸n “Ded Gjo Luli", duke u pozicionuar në stacionin e nisjes.

"Riemërtimin "Janosh Hunyadi" të një pjese të rrugës “Vaso Pasha”, është një tjetër propozim i Bashkisë. Bëhet fjalë për pjesën e rrugës nga kryqëzimi i saj me rrugën “Abdyl Frashëri" deri në mbarimin e saj në kryqëzimin me rrugën “Adem Jashari”. Emërtimi “Vaso Pasha” mbetet në fuqi për pjesën tjetër të rrugës, segmenti nga Bulevardi “Bajram Curri”, deri në kryqëzimin me rrugën “Abdyl Frashëri”.

Këshilli do të diskutojë për miratim projektvendimet në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, për disa monumente në sheshet e qytetit të Tiranës, si “Monumentit të Pavarësisë", “Shtatores së Ismail Qemalit”, dhe “Shtatores së Ahmet Zogut”. “Monumenti i Pavarësisë" do të vendoset në parkun 'Rinia' me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes. “Shtatorja e Ismail Qemalit”, do të vendoset në vendpushimin në lulishten e kryqëzimit të Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”. Ndërsa “Shtatorja e Ahmet Zogut”, do të jetë në sheshpushimin në fund të Bulevardit “Zogu i I”, pranë Stacionit të Trenit.

Një tjetër propozim ka të bëjë me miratimin e përfundimit të procedurave të privatizimit të banesave, të cilat kanë mbetur pa u regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për lidhjen e kontratave para noterit.
Shtuar më 05/09/2012, ora 17:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori