Balluku flet për çmimin e energjisë, ikin dritat në Kuvend (VIDEO)

Në momentin që në Kuvend po fliste ministrja e Energjisë, Belinda Balluku pikërisht për këtë sektor dhe çmimet si pasojë e krizës, ikën dritat, por që brenda disa sekondash rryma u rikthye. Kaq mjaftoi që opozita të shpërthente në të qeshura. Me sportivitet e mori edhe vetë ministrja.

“Energjia elektrike nuk është rritur asnjë qindarkë. Çmimi për të gjithë do të mbetet i pandryshuar…ikin dritat. Helidon (Bushati replikon nga vendi) ti gëzohesh gjithmonë.

E pe me çfarë shpejtësie u kthyen. Në rastin tuaj u deshën invertera. Duhet të kishe inverter të mbaje ndezur dritën e kuzhinës të mos tmerroheshin kalamajtë, por e ka harruar Helidoni” tha ministrja duke qeshur.

Për të larguar vëmendjen dhe çtensionuar situatën, Balluku e zhvendosi bisedën te tryeza që thirri dje Sali Berisha për energjinë.

“Helidon pse nuk ishte dje te kjo tryeza energjetike? Unë nuk e prisja që ministri në hije i Energjetikës të mos ishte? Uauuu, pse nuk ishe te tryeza, pse i le vetëm me Zana Guxhollin?” e pyeti ajo dhe pas disa sekondash u largua nga foltorja.

 

 


Shtuar 21.04.2022 15:22