14 viktima, flet mjekja shqiptare në Itali: Italianët kanë kaluar në fazën e dytë
Ndërkohë që koronavirusi ka paralizuar Italinë me 14 viktima dhe mbi 520 të infektuar, italianët kanë kaluar në fazën e dytë të përballjes me virusin, atë të shpresës për shërim.

Mjekja shqiptare Rozeta Plumbini, e cila jeton në Piemonte, Asti, ka folur për situatën në emisionin “Historia ime”, në “Tv Klan”.

Ajo konfirmoi atë që dihet tashmë se virusi ka një mortalitet jo shumë të lartë, kap më shumë moshat e vjetra, njerëzit me imunitet shumë të ulët për shkak të sëmundjeve të ndryshme dhe më pak fëmijët.

Mjekja shprehet se jeta është paralizuarItali, por frika ka nisur të bjerë nisur edhe nga rastet e shërimit.

“Ata të infektuar nga virusi korona në këtë moment janë shtrirë në rajone të ndryshme. Mban numrin më të madh Lombardia, më pas Veneto, Emilia Romania, Liguria, Piemonte, Lazio, Sicilia, Toscana.

Në Piemonte ku jetoj unë ishin 3 raste deri mbrëmë, ndërsa në qytetin tim nuk kishte asnjë rast. Mbrëmë u hasën edhe rastet e para në qytetin e Astit, 4 raste pozitive që u vunë direkt në izolim. Në momentin që u përhap lajmi se në Itali erdhi virusi korona, ata që luajtën një rol shumë negativ ishin rrjetet sociale. U krijua shumë shpejt një psikozë masive, frike dhe terrori.

Pacientët filluan të anulonin vizitat në spitale, por Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me rajone të ndryshme dhe me pushtetin lokal, morën masa shumë të forta në mënyrë që të parandalohej përhapja e virusit në mënyrë masive.

Duhet të themi që jeta normale është paralizuar pak, se janë mbyllur shkollat, janë ndaluar të gjitha aktivitetet artistike, kulturore, sportive, fetare, udhëtimet.

Tani Italia është duke kaluar në atë fazën e dytë, ku njerëzit janë duke parë që rastet që ishin të infektuara janë duke u shëruar. Edhe janë duke u ndërgjegjësuar mbi vërtetësinë e studimeve që janë bërë më parë në Kinë dhe që kanë vazhduar edhe në Itali.

Ky lloj virusi ka një mortalitet jo shumë të lartë, rreth 5 për qind, kap më shumë moshat e vjetra, njerëzit me imunitet shumë të ulët për shkak të sëmundjeve të ndryshme dhe më pak fëmijët. Shihet se është pak më shumë se gripi i zakonshëm”.

Mirela Milori: Në Itali si është perceptimi?

Rozeta Plumbini: Jeta është paralizuar pak, por ajo frika e fillimit ka filluar të bjerë se shihet se rastet kanë filluar të shërohen. Unë duhet të them se puna ime si mjeke e familjes deri tani nuk ka të bëjë me anën shëndetësore, por i mbaj afër pacientët që të ruajnë qetësinë, për të mos kaluar në alarm. /tv klan
Shtuar më 27/02/2020, ora 17:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori