134 vjetori i Lidhjes së Prizrenit, Topi: Bashkimi kombëtar në Bruksel
Presidenti Bamir Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi përshëndeti sot 134-vjetorin e mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit. Sipas Topit, kjo datë e lavdishme përcaktoi në mënyrë të qartë bashkimin e ideve e përpjekjeve për çlirim dhe mëmvetësi si dhe të ardhmen e kombit tonë.

“Sot, kur Shqipëria është anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë dhe synon t’i bashkangjitet familjes së madhe evropiane, kur Kosova është një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe kur faktori shqiptar në Ballkan vazhdon të luajë rolin e vet vendimtar e moderator në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë”, Presidenti Topi vuri në dukje, se “bashkimi ynë kombëtar, ashtu siç e dëshiruan stërgjyshërit tanë atdhetarë në Prizren para 134 vjetësh, do të ndodhë në Bruksel, në qendrën administrative të NATO-s dhe Bashkimit Evropian!”

Presidenti Topi, theksoi se, “historia shumëshekullore e mbarë popullit shqiptar ka qenë e tejmbushur dhe e karakterizur nga një kalvar i pafund sakrificash, luftërash dhe aspiratash, por Lidhja e Prizrenit, ashtu si dikur Besëlidhja e Lezhës në kohën e lavdishme të Skënderbeut, shënoi një nga pikat më kulmore të ekzistencës moderne të kombit tonë me një bashkim idesh, përpjekjesh dhe veprimesh të bashkërenduara për liri dhe bashkim. Kjo datë do të mbetet ngahera e gdhendur në kujtesën tonë historike dhe do të shërbejë si një burim frymëzimi atdhetar për brezat e sotëm të shqiptarëve dhe ata që do të vijnë më pas”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

“Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në një kohë kur shqiptarët si komb, në shtete të ndryshme të rajonit ku fati i hidhur i historisë i detyroi të jetojnë të ndarë nga trungu i vendit amë, janë të orientuar drejt integrimit me dinjitetet dhe me vlerat tona të spikatura në strukturat euro-atlantike, dëshiroj t’ju uroj gëzuar 134-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit!”, përfundon mesazhin e tij Presidenti i Republikës, Bamir Topi. /albeu.com/
Shtuar më 10/06/2012, ora 12:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori