1.15 miliard euro për rindërtimin, Ahmetaj shpjegon skemën e shpërndarjes së fondeve
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ka dhënë më shumë detaje në lidhje me shumën e mbledhur në Konferencën e Donatorëve.

I ftuar në studion e Report Tv, Ahmetaj tha se nga 1.15 miliardë euro të mbledhura, vetëm 295-300 milionë euro janë grante. Ndërsa shtoi se pjesa tjetër prej 850 milionë eurosh është kredi e butë që do të shlyhet deri në 30 vite me interesa të vogla.


“Qytetarët shqiptarë do paguajnë ndër 30 vite nëpërmjet taksave të tyre. Kreditë që do merren për rindërtimin. Interesi do të jetë në çdo rast nën 2.25 %. Mund të ketë edhe në 2%, apo pa interes nga banka islamike”, tha ai.

Ministri u shpreh se 400 milionë euro do të shkojë për rindërtimin e shtëpive, ndërsa gati 250-300 milionë euro do të shkojnë për riparimin e shtëpive.

“Nuk jam në gjendje t’iu them me cent sa do të shkojnë për shtëpitë, nuk mund ta them, kur të ketë procedurat ndërkombëtare të prokurimit, fondet limite mund të dalin edhe me kursime, për shkak të procesit të hapur ose garës.

Për shtëpitë do të ketë një shumë gati 400 milionë euro, vetëm për rindërtimin. Për riparimin është pjesa e granteve, prej gati 250- 300 milionë euro. Dëmi për shtëpitë është përllogaritur 696 milionë euro. Gjithë dëmi do të kurohet në lotin e madh të rindërtimit të shtëpive, dhe të riparimit të shtëpive. Janë të panegociueshme për t’u bërë dhe do të bëhen”, deklaroi ai.
Shtuar më 19/02/2020, ora 23:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori