100 kg marijuanë, si u kap anëtari i këshillit bashkiak
Policia njoftoi dje se kishte kryer një operacion për kapjen e tre trafikantëve të drogës duke bërë me dije gjithashtu se ishin sekuestruar edhe 100 kg marijuanë.

Por, mësohet se njëri prej të arrestuarëve është pikërisht Dod Dodani, 41 vjeç, banues në fshatin Mnelë të Bashkisë Vau Dejës. Ai është anëtar i Këshillit Bashkiak të Vaut të Dejës.

Dodani bashkë me Nardi Malaj, 45 vjeç, Jozef Ndoci 34 vjeç dhe Aurel Tanushi 24 vjeç, të tre nga fshatrat e Velipojës, u arrestuan në hyrje të qytetit të Shkodrës. Të katër këta persona kishin ndaluar në një pikë karburanti jofunksionale, ku brenda në makinën “Audi” nga kontrolli rezultoi se kishin 100 kg marijuanë.

Ata fillimisht, pasi kanë parë Policinë duke u afruar, kanë tentuar që të largohen nga vendi i ngjarjes duke u fshehur. Por arratisja e tyre nga karburanti ku kishin makinën ka zgjatur pak minuta, pasi Policia i ka ndjekur dhe pas pak minutash i ka vënë nën pranga që të katërt.

41- vjeçari i arrestuar, Dod Dodani, rezulton se prej zgjedhjeve të fundit të pushtetit lokal, të mbajtura në vitin 2015, është anëtar i Këshillit Bashkia në Vaun e Dejës.

Dodani rezultoi fitues si përfaqësues i Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, duke qenë i vetmi përfaqësues i kësaj partie në Këshillin e pushtetin vendor.

Përveç drogës që u gjet në makinën “Audit”, gjatë kontrollit në shtëpinë e Dodanit u gjet 42,2 gramë kanabis sativa si dhe fara të bimëve narkotike në një sasi prej 179 gramësh.
Shtuar më 28/02/2019, ora 17:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori