Dikur i angazhuar me PD-në, kush është “Titi i Ukës” që OFL-ja i çoi sot letrën

OFL i dërgoi formularin për deklarimin e pasurisë dy personazheve të njohur në Lezhë, të cilët sipas policisë janë dënuar për trafik të lëndëve narkotike.

Një prej tyre është pikërisht Astrit Limani 50 vjeç, i cili njihet edhe me nofkën “Titi i Ukës”.

I dënuar për
Kush është Astrit Limani?

Për herë të fundit, Astrit Limani ka patur të bëjë me policinë në majin e vitit të shkuar ku është arrestuar nga Policia e Lezhës dhe Interpol Tirana për llogari të autoriteteve italiane.

Limani ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata në Milano e kishte dënuar atë me 13 vite burg, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafik të narkotikëve”, parashikuar nga nenet 81 dhe 110 të Kodit Penal Italian.

Limani ishte liruar fillimisht në Itali duke bërë që të vinte në vendin e lindjes, por çështja ishte dërguar në Apel dhe gjykata ka konstatuar se atij i kishin mbetur edhe dhjetë vite burg pa shlyer.

Rrjedhimisht duhej të kthehej për të bërë burgun.

Në vitin 2015 Limani iu sekuestrua një pasuri me vlerë 10 milion euro me vendim të Gjykatës së Lezhës.

Siç thuhej atëherë në deklaratat zyrtare të policisë e Prokurorisë, në total tre pallate me 230 apartamente banimi dhe një hotel.

Në vitin 2013, Astrit Ukë Nimani ishte anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Lezhës, nën siglën e Partisë Ora e Shqipërisë.

“Hetimet janë ndjekur me metoda proaktive për një periudhë njëmujore, nga Sektori për Krimin Ekonomik-Financiar të Drejtorisë së Policisë Qarkut të Lezhës në bashkëpunim me Prokurorinë.

Kështu u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Lezhës për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të shtetasit Astrit Nimani, me sipërfaqe totale 25 mijë metra katrorë, të cilat kapin një vlerë sipas çmimeve të tregut, rreth 10 milionë euro.

Në këto pasuri përfshihet një godinë 5-katëshe, Hotel-Bar-Restorant, me sipërfaqe totale 7940 m² në qytetin e Shëngjinit dhe një godinë 13-katëshe, në qytetin e Shëngjinit, me sipërfaqe totale 5000 m², ku përfshihen: 65 apartamente banimi, njësi tregtimi dhe garazhe parkimi.

U bllokua edhe një godinë 13-katëshe, në qytetin e Shëngjinit, me sipërfaqe totale 6500 m², ku përfshihen: 65 apartamente banimi, njësi tregtimi dhe garazhe parkimi, si dhe një godinë 10-katëshe, në qytetin e Shëngjinit me sipërfaqe totale 9500 m², ku përfshihen: 90 apartamente banimi, njësi tregtimi dhe garazhe parkimi.

Pra, në total janë 230 apartamente banimi. Sipas të dhënave në QKR, Nimani është administrator dhe ortak me 40% i kompleksit turistik “M****”, në Shëngjin, dhe i regjistruar në qershor të vitit 2013″, njoftonte policia në 2015.

Por angazhimi i tij ka qenë edhe politik. Në vitin 2013, Astrit Nimani ishte anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Lezhës, nën siglën e Partisë Ora e Shqipërisë, e cila ishte në koalicion me Partinë Demokratike. Ai ishte edhe anëtar i Komisionit të Urbanistikës dhe Programeve të Zhvillimit, nënkryetar i Komisionit të Arsimit Kulturës dhe sporteve dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financës në këtë këshill bashkiak. /albeu.com/


Shtuar 21.02.2020 13:28