100 denoncime për mashtrim, u premtohet punë në Kazakistan me 2000 euro në muaj
100 persona nga Elbasani kanë denoncuar mashtrimin që u është bërë, pasi u është premtuar punë në
Kazakistan me 2 mijë
euro rrogë në muaj.
Ata kryen një parapagesë nga 500
euro secili te dy personat që do t’u mundësonin punësimin për një vit. Në cilësinë e organizatorëve, A.O., 46 vjeç, banues në Kavajë dhe A.Rr., 43 vjeç, banues në Tiranë, “peshkonin” të papunët e Elbasanit, duke u afruar atyre mundësinë e punësimeve me
rroga mjaft të mira jashtë Shqipërisë.
Sipas Policisë, Zyra e Krimit Ekonomik, në bazë të denoncimeve të kryera që nga muaji tetor i vitit të shkuar e deri më tani, nisi hetimet dhe bëri të mundur arrestimin e 46-vjeçarit me inicialet A.O., me banim në Kavajë. Gjithashtu është shpallur në kërkim 43- vjeçari nga Tirana, shkruan Panorama.
“Të dy këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin gjatë muajit shtator–tetor të vitit 2016 dyshohen të kenë mashtruar rreth 100 persona, duke u marrë 500
euro secilit, në total 50.000
euro, për t’i dërguar në
Kazakistan për të punuar”, bëri të ditur Policia.
Gjatë marrjes në pyetje në komisariat, i dyshuari nuk e ka pranuar akuzën, duke hedhur poshtë pretendimet e personave të dëmtuar.
Nga hetimi i kryer, ka rezultuar se dy të dyshuarit kishin arritur në një kohë të shpejtë të përhapnin lajmin se ata u ofronin mundësinë të interesuarve të punësoheshin në sektorin e ndërtimit në
Kazakistan.
Ka më shumë se dy vjet që në
Kazakistan kanë shkuar shumë të rinj, të cilët punësohen kryesisht në ndërtim. Ata qëndrojnë atje një vit pa ardhur në Shqipëri, në bazë të kontratës që bëhet me punëdhënësin që bëhet garant. Këtë fakt dyshohet se e kanë shfrytëzuar dy personat, njëri prej të cilëve i arrestuar.
Duke besuar se do të punësoheshin me
rroga mesatarisht 1000-2000
euro (në varësi të vështirësisë së punës dhe pozicionit që kërkohej në ndërtim), atëherë mjaft qytetarë i kanë dorëzuar 500 eurot e kërkuara pa u menduar gjatë.
Në kushtet e papunësisë dhe varfërisë, shumë prej tyre i kanë marrë borxh paratë duke i premtuar huadhënësit se do t’ia kthente brenda vitit, pasi
rroga që do të merrte nga puna jashtë vendit ishte mjaft e mirë.
“Ia dhashë pa u menduar gjatë paratë. Kërkuan 500
euro që të mundësohej kontrata e punës në
Kazakistan. Unë kam dëgjuar disa raste që kanë ikur për të punuar atje, ndaj nuk u mendova dy herë. Jam i papunë, por paratë i gjeta borxh. Pasi u dhashë 500
euro, nuk arrita dot më të komunikoja me këta persona. Ata na premtuan kontrata pune dhe
rroga shumë të mira por, përveçse kjo nuk u realizua, humbëm edhe paratë tona”, është shprehur në Polici njëri nga denoncuesit./albeu.com/
Shtuar më 15/01/2017,
ora 17:05