10 vjet nënkryetar, kush është sfiduesi kryesor i Skënder Bruçajt për kreun e KMSH
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë pritet të zhvillojë zgjedhjet nesër për kreun e ri, i cili do të përcaktohet me një votim nga Këshilli i Përgjithshëm për gjashtë kandidatë.

Bruçaj është kandidati i parë nisur edhe nga fakti se e mban këtë post, ndërkohë që sfidohet nga zëvendësi i tij, Bujar Spahiu.

Po kush është rivali i kryetarit Bruçaj për kreun e Komunitetit Mysliman?

Me një shkollim të mirëfilltë teologjik në universitetin më të mirë në botë, pikërisht atë të Al-Azharit në Kajro të Egjiptit, Spahiu mban detyrën e nënkryetarit të KMSH-së, shkruan Hashtag.al.

Spahiu ka ruajtur një profil të ulët në media, ndërsa me formimin e tij është një zë me peshë në Këshillin e Teologëve të Komunitetit Mysliman.

“Vendosa të kandidoj për Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nisur nga kërkesa e brendshme e besimtarëve shqiptarë. Prej 10 vitesh mbaj detyrën e Nënkryetarit në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Unë gjykoj të ngrihem mbi këtë podium të mbroj vlerat morale dhe historike të Islamit dhe popullit shqiptar.”, artikulon arsyet e kandidimit Spahiu.

“Mendoj se ka ardhur koha që myslimanët shqiptar të përfaqësohen nga një teolog, i pa ndikuar nga influenca të çdo kahu qofshin. Të përfaqësohen denjësisht ashtu siç ata meritojnë. Populli shqiptar në tërësi ka nevojë të ruhet paqja, stabiliteti dhe harmonia e ngritur me aq mund nga paraardhësit tanë. Unë, me ndihmën e Zotit, do të jem zëri i çdo besimtari dhe besimtareje mysliman, do ta përfaqësoj atë me drejtësi. Do jem larg çdo retorike, e cila nuk i përket dhe bie ndesh me fenë islame.”, thekson Spahiu.

“Të përpiqemi sëbashku të përfaqësojmë denjësisht vlerat e larta të islamit”, e mbyll urimin e tij Spahiu, teksa shpreh gatishmërinë për të shërbyer në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Shtuar më 01/03/2019, ora 14:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori