10 vendimet e bujshme të qeverisë që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese vendosi sot të rrëzojë për të disatën herë qeverinë shqiptare për sa i përket ccështjes së vetingut. Gjatë mandatit të Qeverisë Rama, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar disa prej vendimeve më të rëndësishme të kësaj mazhorance.

Dailynews.al sjell në vëmendje përplasjen disa vjeccare duke rreshtuar hap pas hapi të gjitha vendimet që janë rrëzuar. Bëhet fjalë për vendime të cilat kanë pasur një politizim të madh në publik dhe ka qenë Partia Demokratike ajo që në shumicën e rasteve i ka apeluar ato. Në këtë listë janë zgjedhur vetëm vendimet e dala nga qeveria dhe jo vendime të tjera që janë marrë në parlament dhe që nuk kanë qenë propozime të qeverisë.

1 – Akti normativ për shërbimin civil (Dhjetor 2013)

Sapo erdhi në pushtet, Qeveria Rama u gjend përballë një ligji të miratuar të nëpunësit civil, por që siç u tha në atë kohë, nuk kishte të miratuara aktet nënligjore. Për këtë arsye ai miratoi një aktnormativ që e shtynte fillimin e hyrjes në fuqi të ligjit me 6 muaj. Pas ankesës së PD, Gjykata Kushtetuese rrëzoi aktin normativ të qeverisë Rama për shërbimin civil. Kjo solli dhe bllokadën e parë që i bëri Gjykata Kushtetuese një qeverie e cila ndodhej në 3 muajt e parë të pushtetit.

2 – Shembja e ndërtimeve pa leje nga INUK (Qershor 2014)

Në kushtet kur projektet urbanistike dhe lirimi i hapësirave publike po pengoheshin nga zvarritjet e proceseve gjyqësore për të drejtën e punës, Këshilli Ministrave mori një vendim për rritjen e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në zonat me Rëndësi kombëtare dhe në territor. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë vendim duke vlerësuar se “vendimi i qeverisë për të rritur kompetencat e INUK cenon kompetencat e pushtetit vendor që jep leje ndërtimi, apo dhe të institucioneve të tjera si ALUIZNI dhe hipotekat, që kanë pajisur ndërtimet me certifikatë pronësie apo legalizimi”.

3 – Regjistrimi i IMAI të celularëve (Shtator 2014)

Një prej çështjeve më të debatuara të vitit 2014 ishte një vendim i marrë nga qeveria shqiptare më 4 qershor të atij viti për krijimin e një databaze të dhënash të kodeve IMEI që përdoren nga telefonat mobil për identifikim. Ky vendim detyronte çdo përdorues të shërbimeve celulare të dorëzonte kodin IMEI të aparatit. Gjykata Kushtetuese pas marrjes në shqyrtim të vendimit dhe ankimimit nga ana e deputetëve të PD e shpalli vendimin: “Si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 354, datë 04.06.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”.

4 – Byroja kombëtare e hetimit (Prill 2015">2015)

Në muajt e parë të vitit 2015">2015, një prej çështjeve të debatuara të asaj periudhe ishte ngritja e strukturës së Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një vendimi të ndërmarrë nga qeveria, raporton DailyNews.al. Ndërkohë që për të asistuar këtë strukturë kishte ardhur një skuadër nga FBI për të ndihmuar qeverinë shqiptare në punën hetimore dhe atë operacione, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e këtij vendimi, duke e cilësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën.

5 – Pezullimi i lejeve të ndërtimit (Qershor 2015">2015)

Në kushtet kur vendi do të shkonte në një betejë elektoralë për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të bashkive sipas ndarjes së re territoriale, nga drejtuesit e bashkive në ikje nisi të hapej “thesi” i lejeve të ndërtimit. Kjo bëri që qeveria, me një vendim të Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit të marrë më 22 gusht të 2014-ës, të pezullonte dhënien e lejeve të ndërtimit deri në konstituimin e organeve të reja të pushtetit lokal të cilat do dalin nga zgjedhjet e 21 qershorit. Këto vendime u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, e cila u vu në lëvizje pas ankesës së shoqatave së bashkive të Bashkisë, e cila drejtohej në atë kohë nga ish – kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

6– Kompetencat e Forcave të Armatosura (Shtator 2015">2015)

Një draft i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, ku i hiqeshin të drejtat Kryeministrit dhe ministres së Mbrojtjes që të nxjerrin në lirim dhe në rezervë ushtarakët me gradë madhore në Forcat e Armatosura, gjeti kundërshtimin e Gjykatës Kushtetuese. Në vendimin e saj të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar si në kundërshtim me Kushtetutën dy nene të rëndësishme të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë”. Dy nenet parashikonin afate, kushte dhe kritere të reja për daljen në rezervë dhe daljen në lirim të ushtarakëve. Fillimisht, Kushtetuesja urdhëroi pezullimin e zbatimit të ligjit, duke bllokuar spastrimet e planifikuara në ushtri.

7 – 10-fishimi e gjobave për bizneset me shkelje (Dhjetor 2015">2015)

Më 12 nëntor të vitit 2015">2015, në kuadër të një lufte kundër shmangies së detyrimeve tatimore për bizneset, qeveria shqiptare mori një vendim për të gjobitur me 10-fishin e vlerës të gjithë ato biznese që kapeshin me shkelje. Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut e ankimuan këtë vendim dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë shqiptare. Disa prej këtyre neneve u kundërshtuan edhe në formën e protestave nga ana e bizneseve, të cilët rrezikonin deri 10 milionë lekë gjobë për treguesit e shumicës që shisnin pa kupon tatimor.

8 – Ashpërsimi i dënimit për armëmbajtjen pa leje (Dhjetor 2015">2015)

Në kushtet kur armbajtjet pa leje dhe vendosja e tritolit ishte kthyer në një makth për qeverinë shqiptare, Ministria e Brendshme propozoi ashpërsimin e ligjit për këto dy vepra penale. Ndryshimi në Kodin Penal konsistonte në masën e dënimit që të shkonte 5 – 8 vjet burgim dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet burgim. Ky vendim i qeverisë bërë publik më 26 mars të vitit 2014 nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

9 – Ligji për profesionet e lira (Korrik 2016)

Të gjithë ata që ushtronin profesione të lira reaguan ashpër ndaj një vendimi “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM-së nr.37, datë 21.01.2016 “Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të”. Ligji shkaktoi protesta deri te avokatët, të cilët nisën të bojkotonin pjesëmarrjen në sallat e gjyqeve. Ligji që parashikonte të mbante rreth 27% të pagës për kontribute shoqërore dhe shëndetësore, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

10- Vettingu (Nëntor 2016)

Krahas betejës ndër vite, një tjetër vendim i rëndësishëm ra pre e “luftës” së vendosur nga Gjykata Kushtetuese për të rrëzuar vendimet e qeverisë. Ndërkohë që kjo Gjykatë është duke shqyrtuar kushtetutshmërinë e ligjit të vetingut, e cila iu është drejtuar Komisionit të Venecias për një opinion, mazhoranca kërkoi që të hiqej pezullimi i vendosur më herët nga ky institucion për këtë ligj. Prania edhe e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadores së BE në sallën e Gjykatës Kushtetuese nuk pati asnjë rezultat, kjo e fundit sërish e rrëzoi qeverinë shqiptare. Ndërsa nga ana tjetër që mbronte pezullimin e këtij ligji ishin edhe përfaqësues të Partisë Demokratike. /DailyNews.al
Shtuar më 23/11/2016, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori