10 të verbër nën një çati, historia tragjike e familjes në Allias
Në shkallaren e shtëpisë përdhese gjejmë të ulur Nexhmien, të zonjën e shtëpisë.

E përhumbur, në botën e saj pa drita, gruaja vetëm qan fatin e trishtë të një jete të kaluar në terr që prej lindjes dhe me një peshe të madhe në supe.

Me sy të lotuar që mezi e lënë të flasë e moshuara e verbër na rrëfen historinë e saj fatkeqe, sesi solli në jetë 6 fëmijë, të 6 të verbër, trashëgimi që ka infektuar edhe brezin e tretë, shkruan GSH.

“Me zor të madh. Ja kështu i kam rritur, ku veshur, ku zhveshur, ku ngrënë, ku pa ngrënë. Edhe pa bukë i vija fëmijët në gjumë. Çfarë të bëja, nuk arrija dot”,- thotë Nexhmie Hajredini.

“Unë, plaka, çuni tjetër, tre nipërit, vetëm nipi jetim nuk është i sëmurë”,- sqaron më tej kryefamiljari.

Jeta e dy gjyshërve të verbër do të merrte një tjetër goditje thërresë, kur njëra prej vajzave ndërron jetë, pas një lëngimi të gjatë shkaktuar nga sëmundja e kancerit. Vajza u largua nga jeta fare e re duke lënë pas tre jetimë, që u braktisën edhe nga babai biologjik.

“Goca më iku e re, 31 vjeçe…(Qan). Më ngeli jetimi në kurriz, (Qan) ku ta çoj? Ku ta braktis? Me sakrifica të mëdha. Nuk mund t’i lija rrugëve fëmijët, babi i braktisi, iku babai, as nuk dihet ku e ka adresën”,- thotë Nexhmie Hajredini.

Në më pak se 80 metra të shtëpisë, së ndërtuar diku me baltë e diku me tulla e beton është rikthyer të jetojë edhe djali i madh Fatosi, bashkë me tre fëmijët e tij dhe gruan.

4 vite më parë Fatosi endej rrugëve i pastrehë, papunë e pa përkrahje dhe kur një ditë u fal sërish tek porta atërore. Fatosi është i verbër i grupit të parë, mallkim prej natyre që pa dashje ua ka kaluar edhe dy prej fëmijëve, që me rritjen po shkojnë drejt verbërisë së plotë.

“Me thënë të drejtën ë…. duke ardhur duke na ikur drita e syve”. Jam që në moshën 9 vjeç, që kam filluar ta ndiej, e ke parasysh… Kur të shkoj edhe unë në moshën e plakut… kështu që edhe unë drejt asaj jam, kupton… se plaku im nuk shikon fare. Më e keqja është se edhe fëmijët po më dalin me… po më ngjajnë mua, thotë Fatosi, djali i madh i familjes Hajdari.

Gazetari: A i çon fëmijët në shkollë? Shkojnë në shkollë?

Fatosi: Atë të madhin e kam tek shkolla e të verbërve, kurse këto dy të vegjëlit i kam tek kjo shkolla, por me zor mësojnë…

Fenomeni i rrallë i humbjes së shikimit, që ka prekur thuajse të gjithë familjen, dyshohet se e ka origjinën nga një anomali gjenetike, e trashëguar nga 2 kryefamiljarët.

Skënderi thotë se ka qenë 22 vjeç kur ka humbur shikimin, pas përjetimit të një temperature të lartë, që i la pasoja. Ndërsa e zonja e shtëpisë ka lindur me mungesë totale në shikim. /albeu.com/

Shtuar më 18/04/2017, ora 09:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori