EMRAT/ Shpërdoruan detyrën, arrestohet polici, një tjetër procedohet

Një efektiv policie është arrestuar dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim kompjuterik.

ABC mëson se në pranga është vënë efektivi Arion Bardhi, specialist pranë policisë rrugore në kryeqytet, ndërsa në gjendje të lirë është proceduar kolegia e tij Mirela Hoxha.

Sipas hetimeve të AMP dhe të Prokurorisë së Tiranës, prej kohësh dy oficerët kundrejt shumave të parave që merrnin nga qytetarë të ndryshëm kishin falsifikuar dhe kishin ndryshuar gjobat brenda sistemit të policisë rrugore. Duke pasur akses në këto sisteme Bardhi dhe Hoxha, pasi siguronin paratë si ryshfet arrinin që gjobat e papaguara ti kthenin në të paguara.

Në pranga ka rënë gjithashtu edhe sekseri i dy efektivëve, Erion Brako. Ky i fundit u merrte paratë nga qytetarët me qëllim fshirjen e gjobave nga sistemi. Këto para ai i ndante me efektivët e policisë rrugore tashmë të arrestuar.