1 ton kanabis në Mal të Zi, biznesmeni ishte kandidat i LSI-së
Policia e Malit të Zi ka shkatërruar një grup të trafikut të drogës duke vënë në pranga 11 shtetas mes tyre edhe një shqiptar nga Malësia e Madhe.

Shqiptari Ndue Pepaj është një ndër personat e arrestuar.

Ai njihet si në zonën e Malësisë së Madhe si biznesmen pasi është pronar i një restorant luksoz me emrin “Kavaliero” në zonën e Bajzës.

Pepaj është dhe i angazhuar në politikë pasi rezulton si kandidat për anëtar të Këshillit Bashkiak në Malësinë e Madhe si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet lokale të vitit 2015.

Konkretisht, përveç 11 personave të arrestuar, është sekuestruar një sasi prej 928 kg lëndë narkotike kanabis sativa, 1.7 kg heroinë si dhe 3 kg përzierës heroine.

Policia shqiptare nuk jep më shumë detaje në lidhje me këtë aktivitet kriminal pasi hetimet janë ende në vijim.

Pepaj akuzohet nga drejtësia e Malit të Zi si kreu i grupit kriminal të strukturuar, që merrej me trafikimin e drogës nga Shqipëria në Malin e Zi.

Hetimet kanë nisur që prej një viti, ndërsa 28- vjeçari nga Malësia e Madhe është vënë në pranga ditën e diel, shkruan Panorama.

Kurse të hënën u arrestuan tre shqiptarët e tjerë nga Tuzi, Gjon Junçaj, Vasel Junçaj dhe Violeta Junça.

Përveç drogës, Policia, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të arrestuarve, ka sekuestruar dhe automjete luksoze si dhe një armë zjarri, e cila ishte groposur në bahçen e një shtëpie në lagjen Konik të Podgoricës, ndërsa do i nënshtrohet aktit të ekspertizës pasi dyshohet se mund të jetë përdorur në kryerjen e vrasjeve në Mal të Zi. /albeu.com/
Shtuar më 21/12/2017, ora 10:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori