1 korriku afati i fundit për pasaportat e lëshuara me afat të pasaktë
Ministria e Punëve të Brendshme rikujton se 1 korriku 2016 është afati i fundit i vlefshmërisë së pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën prill 2009–korrik 2010, me afat të pasaktë vlefshmërie për shtetasit shqiptar nën moshën 16 vjeç, në momentin e aplikimit.

MPB fton qytetarët që kanë hasur këtë problematikë, të aplikojnë sa më shpejt për pasaportat e reja duke shmangur radhët në ditët e verës, ku shtohet fluksi për shkak të ardhjes së emigrantëve.

Ministria e Punëve të Brendshme sqaron edhe njëherë lidhur me çështjen e afatit të vlefshmërisë të pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën prill 2009 deri në korrik 2010 për shtetasit nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit për pasaportë biometrike se (në bazë të ligjit nr. 8668, datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit” i ndryshuar), afati i vlefshmërisë së pasaportave për këtë kategori shtetasish është 5 vjet, në përputhje me standardet ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit.

Gjatë periudhës prill 2009 – korrik 2010, për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit, janë lëshuar rreth 156 mijë pasaporta me afat vlefshmërie jo të saktë (10 vjet), ndërkohë që duhet të ishin 5 vjet.

Ministria e Punëve të Brendshme nënvizon se afati 5-vjeçar i vlefshmërisë së pasaportave biometrike për fëmijët 0 -16 vjeç është një standard i njohur ndërkombëtar, për shkak të ndryshimit në kohë të karakteristikave fizike të shtetasve të kësaj moshe.

Me ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e 2013, duke konstatuar problematikën, Ministria e Punëve të Brendshme mori masa për menaxhimin dhe zgjidhjen e saj.

U propozua shtyrja e afatit të këtyre pasaportave me 1 vit, duke i bërë ato të vlefshme për 6 vjet, që t'u lihet kohë shtetasve për pajisjen me pasaportë të re biometrike. Propozimi i MPB-së u miratua në Kuvend në prill 2014.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masat për njoftimin e shtetasve që preken nga ky problem dhe prej gusht 2014 ka vijuar me njoftimin:

- në Pikat e Kalimit Kufitar (nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë në kufi dhe posterave, fletëpalosjeve)

- në Zyrat e Gjendjes Civile dhe Komisariatet e Policisë (nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë nga punonjësit dhe posterave, fletëpalosjeve)

- në media (njoftime dhe fushata)

- deklarata të herëpashershme nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme

- nëpërmjet Ambasadave dhe Zyrave konsullore të Republikës së Shqipërisë, për shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Republikës së Shqipërisë

- nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë të gjithë masat për përballimin e kërkesave në rritje për pajisjen me pasaportë, duke fuqizuar infrastrukturën e nevojshme në zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së këtyre dokumenteve. /albeu.com/


Shtuar më 15/06/2016, ora 16:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori