Petro Koçi: Të shkarkohet Fullani, të ndalohen me ligj punësimet nepotike në Bankë
Pëlqej
Sa i takon çështjes së Fullanit edhe Petro Koçi kërkon që të shkarkohet, duke u bashkuar shumë zërave të tjerë. Kreu i PSV, Petro Koçi, ka thënë se guvernatori Ardian Fullani duhet të shkarkohet sa më shpejt.

Duke qëndruar në të njëjtën linjë, sipas tij, Fullani nuk mund të qëndrojë më në këtë post, ndaj dhe duhet të nisin procedurat për shkarkimin. Koçi ka kërkuar që të ndalohen me ligj punësimet nepotike në institucione të tilla si Banka e Shqipërisë.

“PSV, si formacion politik që kërkoi menjëherë e më qartësi shkarkimin e guvernatorit Fullani përshëndet reagimin në rritje të opinionit publik në mbështetje të fillimit të procedurës parlamentare, për shkarkimin e kreut të Bankës së Shqipërisë.

PSV u kërkon të gjitha partive parlamentare t’i bashkohen thirrjes publike për të ndëshkuar me shkarkim cenimin e rëndë të interesave të Bankës dhe të shtetit nga skandali i vjedhjes në kasafortën e institucionit më të rëndësishëm financiar në vend.

PSV duke mirëkuptuar deri diku ndrojtjen e Qeverisë për të ndërhyrë ndaj dukurish apo ngjarjesh që përfshijnë institucione të pavarura, denoncon përpjekjet e palodhshme të PD me konferenca të përditshme të shtypit për të devijuar vëmendjen publike nga ky skandal i përmasave paraprirëse drejt çështjesh me interes më të ngushtë.

I kërkojmë parlamentit të ndërhyjë me vendosmëri ndaj pushteteve oligarkike të instaluara në shumicën e strukturave shtetërore gjatë qeverisjes regresiste të ish- kryeministrit Berisha.

Nga ana tjetër, kërkojme ndalimin me ligj të marrëdhënieve nepotike parlamentare në emërimet në institucionet kushtetuese që zgjidhen apo kontrollohen nga parlamenti”, ka deklaruar Koçi. /albeu.com/
Shtuar më 09/08/2014, ora 16:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori