PD: Policia e angazhuar me urdhëra politike
Pëlqej
Plagosja e turistes çeke në Veliojë dhe vrasja e një të riu në Dhërmi, janë – sipas demokratëve - dëshmitë e pasigurisë në rritje dhe ankthit të krijuar tek pushuesit e tek qytetarët.

Në një deklaratë për mediat koordinatori i PD-së, Ervin Salianji, i kërkoi Kryeministrit Rama që të mos i bëjë opozitë opozitës përmes mediave sociale por të merret me shqetësimin e shqiptarëve për të patur më shumë rend dhe siguri publike në vend.

“Në kulmin e sezonit turistik, në dy prej plazheve më të frekuentuara të vendit, kanë ndodhur dje dy ngjarje të rënda kriminale. Në Velipojë, përplasja me armë mes bandave, ka shkaktuar plagosjen e një turisteje Çeke duke sjellë panik mes pushuesve. Në Dhërmi, vrasja e një të riu, gjetja e trupit të një të riu, ka sjellë ankth dhe pasiguri tek pushuesit e zonës. Ndërkohë që ngjarjet kriminale kanë pushtuar Shqipërinë, Policia e Shtetit, me urdhër politik dhe për interesa private, ndalon punët publike në Tiranë për interesa të Kryeministrit. Aty ku ka forca të shumta policie, për të ndaluar këto punë publike, sot, në mes të ditës, në mes të Tiranës, grabitet me dhunë një grua. Kryeministri të mos ndalë pushimet për ti bërë opozitë Opozitës në Facebook sepse ky nuk është shqetësim për të përfituar kapital politik por është shqetësim i banorëve, i qytetarëve, i gjithë shqiptarëve për të patur më shumë rend dhe siguri publike në vend“, tha Salianji i cili e mbajti deklaratën përpara Ministrisë së Brendshme.
Shtuar më 15/08/2014, ora 14:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori