Patozi: Qeveria po nxiton të mbyllë dosjet e reja të krimit
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti demokrat Astrit Patozi u shpreh se me hapjen e dosjeve të vjetra, qeveria po nxiton të mbyllë dosjet e reja të krimit. Patozi akuzoi qeverinë Rama-Meta, se me variantin e saj të pr/ligjit për hapjen e dosjeve të vjetra të ish sigurimit shtetëror, po kërkon të largojë vëmendjen nga situata aktuale, ku në parlament ka të inkriminuar.

“Për çfarë do i shërbejë sot kjo inisiativë. A ka shqiptarë që beson në qëllimin e mirë të kësaj qeverie, e cila po nxiton gjoja të hapë dosjet e vjetra, ndërkohë që çdo ditë po qeveria po përpiqet të mbyllë dosjet e reja e të freskëta të krimit e korrupsionit.

Le ta zëmë që pas hapjes së dosjeve, populli do mësonte emrat e politikanëve e zyrtarëve të lartë që kanë bashkëpunuar me sigurimin e shtetit. A do të ishte kjo e mjaftueshme, që institucionet tona të zbraseshin nga skota e tyre. Ligji që ka sjellë qeveria, nuk e synon këtë, pasi nuk ka lidhje me lustracionin por dhe sikur ta kishte, jo thjesht për faktin se këta sa herë kanë ardhur në pushtet e kanë mbushur administratën me ish fosile të diktaturës. Por pse unë nuk besoj tek ky proces?

Nëse ky ligj do të synonte vërtet pastrimin e jetës publike nga ish sigurimsat, ky proces duhej të nisej nga parlamenti, sepse ky është institucioni i Republikës sonë. Por si mund të besoj e ky parlament te bëhet më i mirë nëse unë nxjerr nga parlamenti ndonjë ish bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, kur këtu ka plot të akuzuar për vrasje, trafik droge e prostitucion?

Nuk mund të mburreni se po i bëni shërbim shoqërisë duke zbardhur gjoja krimet e 30 viteve më parë, sado të rënda të kenë qenë ato ndërkohë që keni mbushur sallën me individë me dy ose më shumë emra që pak kohë më parë ishin tutorë femrash, apo plaçkitës banesash në Belgjikë, Gjermani, Itali, etj.

Në fakt, parlamenti është vendi ku ata shkëlqejnë më shumë, por nuk është trualli i vetëm. Vetëm PD ka denoncuar dhjetra raste të përfshirjes së personave të inkriminuar në administratë. Mirë dosjet e sigurimit po i zgjidhkemi sot, po dosjet e këtyre kush do i hapë?!

Të nderuar zotërinj që sot qeverisni, po i bëni gjëmën këtij vendi. E them me bindjen më të plotë, jo thjesht për faktin se ekonomia është në rënie të lirë, varfëria është shtuar dhe papunësia po rritet me shpejtësi, por sepse jeni duke vrarë përditë shpresën se Shqipëria do të bëhet një herë një vend normal. Ndaj dhe shqiptarët nxitojnë të largohen përditë. Jeni përgjegjës direkt për këtë eksod masiv", deklaroi ai. /albeu.com/
Shtuar më 30/04/2015, ora 16:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori