MAS kallëzim penal në Prokurori ndaj “Vitrina” Sh.P.K.
Pëlqej
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka depozituar sot në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “Vitrina” Sh.P.K. në cilësinë e personit juridik, Edmond Vlashaj, Drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë “Vitrina”, Aldorin Braho, Administrator i shoqërisë “Vitrina” dhe Piro Cipo, Rektor i Shkollës së Lartë Private “Vitrina”.

Sipas njoftimit të MAS, gjatë procesit të kontrollit të ligjshmërisë u konstatuan shkelje ligjore në veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë, ku ndërmjet të cilave nga personi juridik Shoqëria Tregtare “Vitrina” Sh.P.K., dhe shtetasit që administrojnë veprimtarinë pranë saj, mendojmë se janë konsumuar element të veprave penale të kryera për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, dhe më konkretisht:
1. Regjistrimi i studentëve në kushtet e mashtrimit për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, pa pasur të drejtën e ushtrimit të aktivitetit përkatës.
2. Lëshimin e diplomave në kushtet e mashtrimit për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, pa pasur të drejtën e ushtrimit të aktivitetit përkatës.
3. Mos hartimin dhe mos mbajtjen e rregullt të regjistrave themeltar të studentëve sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
4. Mos ndjekjen e procedurave ligjore, për pajisjen me numra matrikullimi të studentëve të regjistruar pranë IAL-së “Vitrina”.
5. Përdorimi i ambienteve në kundërshtim me destinacionin e tyre të përcaktuar ligjor.
6. Mosrespektimi i detyrimeve të Vendimit nr. 539, datë 06.08.2014 të Këshillit të Ministrave “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë”.
Bazuar në sa më sipër MAS kërkon:
1. Fillimin e procedimit penal në ngarkim të personit juridik privat si më sipër dhe dënimin e tij me një dënim kryesor siç është mbarimi i tij si person juridik.
2. Fillimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur dhe dënimin e tyre sipas përcaktimeve ligjore.
3. Marrjen e masës së sigurimit pasuror, vendosjen e sekuestros konservative ndaj pasurive të paluajtshme të personit juridik, Shoqëria Tregtare “Vitrina” Sh.P.K.
Shtuar më 19/09/2014, ora 17:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori