KOMENT/ Kur edhe Nardi bën politikë
Koment nga Albeu.com
Kur po bindeshim se vërtetë Nard Ndoka ishte thjesht një koncept dhe jo njeri prej mishi e gjaku, ai na doli edhe njëherë fuqishëm në skenë me të bëmat e tij.

Nuk doli për të na gajasur me fjalimet e tij të famshme siç është bërë zakon tashmë, por duke hedhur në publik shashka të rrezikshme të një përçarjeje fetare në vend.

Në një deklaratë të bërë dje në rrjetet sociale, Nard Ndoka flet për një gjë që as vet nuk i beson, "islamizim" të Kuvendit. Sipas tij, të qenit mysliman bektashi i Ilir Metës si kryetar i Kuvendit dhe të qenit mysliman suni i Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit qenka problem i madh sidomos tani që u larguar edhe Vangjel Dule, i cili i përket ortodoksizmit.

Për drejtuesin e një partie me profil fetar kjo është një deklaratë shumë e guximshme e cila shkon në kufijtë e budallallëkut, pasi përfaqësimi fetar nuk ka qenë asnjëherë problem i mprehtë në Shqipëri.

Por, edhe pse shumë e marrin për të tillë, Nardi nuk është budalla. Ai lëshon deklarata problematike për harmoninë fetare në vend pikërisht para zgjedhjeve lokale duke marrë në konsideratë faktin se elektorati i tij është katolik.

Ai i thotë elektoratit të tij atë që ai mendon se ata duan të dëgjojnë.

Nardi gjithashtu kërkon të bëjë edhe opozitarin brenda maxhorancës me qëllim që votuesit e tij katolikë, kryesisht të djathtë të mos mendojnë se ai tradhtoi këtë krah politik, por se ka kaluar majtas vetëm për këto zgjedhje.

Nardi mund t’i ketë bërë vetë llogaritë e partisë së tij, por problemi është se kalimi i retorikës së ndarjes fetare në Shqipëri në një diskurs publik nga deputetë të Kuvendit mbart rreziqe të mëdha për një vend që asetin më të madh ka pranimin e tjetrit. /albeu.com/


Shtuar më 22/05/2015, ora 11:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori