Haradinaj shpallet Qytetar Nderi i Pukës
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj u shpall të mërkurën Qytetar Nderi i Bashkisë së Pukës.
Në një ceremoni të organizuar enkas në 69-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Pukës, kryetari i Bashkisë së Pukës, Beqir Arifaj i dorëzoi Haradinajt çmimin duke thënë se është nder i veçantë i Pukës dhe pukjanëve që ta kishin Haradinajn bashkëqytetar nderi të tyrin.

Ramush Haradinaj u shqua në luftën për lirinë e Kosovës, në ngritjen e strukturave dhe institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës. Ramush Haradinaj ishte dhe mbetet emër i veçantë në historinë më të re të kombit tonë, dhe është pasuesi i denjë i dëshmorëve të shumtë të kombit dhe i të gjithë dëshmorëve të Pukës, të cilët po i kujtojmë sot, e të cilët ranë në të gjitha periudhat e përpjekjeve tona për liri e pavarësi, që nga Lidhja e Prizrenit, te Shpallja e Pavarësisë në Vlorë e deri te Lufta e Dytë Botërore dhe rezistenca antikomuniste pas saj", tha kryetari i Bashkisë së Pukës.

Ndërsa Haradinaj tha se ky akt është një obligim shtesë, por edhe nder për të personalisht dhe për secilin bashkëluftëtar të tij nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për familjen, bashkëpunëtorët, Aleancën dhe mbarë vendin.

“Lufta për lirinë e Kosovës nuk u bë veç në Kosovë. Ajo u mbështet fuqishëm nga të gjithë ju, dhe për këtë jemi falënderues dhe mirënjohës njëkohësisht. Ajo që e arritëm të gjithë bashkë me lirinë e Kosovës, është arritje për shqiptarët në përgjithësi, por edhe kontribut i yni dhe obligim për lirinë në botën mbarë. Me nderin që po më bëni sot, nderohem unë, nderohen bashkëluftëtarët e mi në UCK, nderohet Kosova dhe nderohemi të gjithë ne", ka thënë kryetari Haradinaj. /albeu.com/
Shtuar më 20/11/2013, ora 17:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori