Çako takim me drejtuesin e Policisë dhe shefin e Inteligjencës në New York
Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, pati disa takime të rëndësishme me drejtues të lartë të disa agjencive ligjzbatuese.

Fillimisht në NYPD, Departamentin e Policisë së New York (New York Police Department), Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako u prit në takim nga Drejtori i Policisë për New York City James P O'Neill NYPD Chief of Department.

O'Neill e përgëzoi Çakon për rezultatet e Policisë Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit. O'Neill e vlerësoi si një partner të besueshëm e serioz Policinë Shqiptare.

Ndërkohë Çako vlerësoi ndihmën dhe përkrahjen e SHBA si partner i rëndësishëm për Policinë Shqiptare. O'Neill dhe Çako vlerësuan rolin e komunitetit shqiptar të punonjësve të policisë të NYPD, përfaqësuar nga Shoqata Illyrian, si ura të bashkëpunimit mes dy policive.

Çako e ftoi O'Neill për një vizitë në Shqipëri, ftesë që u pranua me kënaqësi prej Tij. Me pas Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako u prit në takim nga Drejtori i Inteligjencës i News York City Thomas P Galati(njëherazi edhe Drejtor për Krimin e Organizuar e Terrorizmin).

Galati dhe Çako biseduan për çështjet e terrorizmit që shqetësojnë dy agjencitë, rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimi të informacioneve në këtë fushë.

Galati- Çako vlerësuan lartë marrëveshjen e bashkëpunimit për shkëmbimin e informacionit në luftë kundër terrorizmit të firmosur nga Ministri Saimir Tahiri dhe Drejtori i FBI, si dhe portokollin operacional të firmosur nga Drejtori i Policisë së Shtetit dhe Drejtuesit e Antiterrorit.

Galati e falënderoi Çakon, për punën e mrekullueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, në një rast të përbashkët hetimi për terrorizëm.

Në këtë hetim u përfshinë FBI, Policia Shqiptare dhe Drejtoria e Inteligjencës së NYPD.

Çako theksoi se ne jemi të interesuar të përvetësojmë dhe të aplikojmë format dhe metodat me të mira të Policisë amerikane për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Drejtori i Inteligjencës Thmas P. Galati i ofroi Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako mbështetje për Strukturat Antiterror dhe të Krimit të Organizuar të Policisë Shqiptare.

Gjithashtu me drejtues të Departamentit të Policisë së New York u diskutua për mundësitë e trajnimeve në specializimeve të oficerëve të Policisë shqiptare në Akademinë e Policisë në New York.

Më pas delegacioni shqiptar vizitoi sallën e komandimit dhe monitorimit të emergjencave të Policisë në New York City. Në fund të takimit Çako e ftoi Galatin për një vizitë në Policinë e Shtetit në Shqipëri, ftesë që u prit me shumë kënaqësi nga Galati, i cili premtoi se do ta realizojë së shpejti.

Gjithashtu gjatë punimeve të Samitit të Shefave të Policisë të Kombeve të Bashkuara që u mbajt në New York, Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako u takua me përfaqësues të Policive të shteteve të ndryshme.

Një takim me fokus luftën kundër Krimit të Organizuar e veçanërisht trafikut të qenieve njerëzore u zhvillua me Drejtorin e Policisë së Holandës Harry van den Brink.

Të dy drejtuesit diskutuan për krizën e emigrantëve dhe masat respektive të marra. U shtrua si domosdoshmëri rritja e bashkëpunimit dhe hetimeve të përbashkëta veçanërisht në fushën e trafikut të qenieve njerëzore.

Drejtori i Policisë së Holandës Harry van den Brink ofroi mbështetjen e Policisë holandeze për Policinë shqiptare në këtë fushë. /albeu.com/
Shtuar më 05/06/2016, ora 09:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori