Basha: Rregjistrimi i IMEI, kërcënim për lirinë e shqiptarëve
Pëlqej
Lidhur me vendimin e qeverisë për të marrë të dhënat personale të çdo abonenti të telefonisë celulare, kreu i PD, Lulzim Basha, e ka cilësuar një akt të paprecedentë në këto 23 vite. Gjatë kuvendit zgjedhor të degëve 12,14 dhe 15, Basha u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të refuzojnë këtë përpjekje ogurzezë të Ramës, për të përgjuar dhe shantazhuar çdo qytetar shqiptar.

“Duan të përgjojnë kë të duan, pa dhënë hesap askund. Në prill, Gjykata Europiane mori një vendim dhe u tha kompanive celulare: Ju do të dënoheni edhe po i ruajtët këto të dhëna, e jo më t’ju shkojë në mëndje t’ua jepni qeverive, ndërsa qeveria këtu u thotë kompanive se do t’ju dënoj po nuk m’i dhatë. U thotë qytetarëve do t’ju gjobis po nuk m’i dhatë të dhënat personale.

Ky është kërcënimi më i hapur ndaj lirisë së shqiptarëve në këto 23 vite. Po e bën një njeri, i cili ka sjellë deri në parlament krimin dhe kriminelët. Po 3 miliardë dollarët që i falën CEZ-it, nga do dalin? Nga kontot bankare të Edi Ramës dhe Ilir Metës?! – Aspak!

Do të dalin nga xhepat e shqiptarëve. Po dalin nga xhepat e shqiptarëve. Faturat janë rritur kudo e do të vazhdojnë të rriten. Kjo është oferta e tyre. Këtej vidh, andej mashtro dhe këtej kërcëno”, u shpreh kreu i PD.

Më tej, Basha citoi se rilindja e së keqes po trondit çdo familje shqiptare. “Rezultatet e kontrollit ministror që kishte urdhëruar, dolën njësoj siç donte sundimtari. Arsimin mori përsipër ta reformonte vetëm një njeri që nuk e duron dot shkollën, siç është kryeministri ynë.

Si në kohën e revolucionit kulturor kinez, kanë vënë gomerët para kuajve, më të pa kualifikuarit janë vënë të gjykojnë të kualifikuarit. Në momentin që arsimi kombëtar priste përkrahjen politike, mbështetje financiare, mbështetje të gjithanshme, vjen dora e dhunshme e paaftësisë, e hakmarrjes, e injorancës.

Ky është një projekt diabolik dhe në themel ka korrupsionin dhe klientelizmin, prandaj nuk duhet lënë të ketë sukses. Rilindja e së keqes, po trondit çdo familje shqiptare”, përfundoi ai. /albeu.com/
Shtuar më 06/08/2014, ora 11:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori