Shiten me çmim marramendës xhinset e shekullit XIX

Një palë xhinse Levi’s të vitit 1880 janë shitur në një ankand në një qytet të vogël në New Mexico për më shumë se 87 000 dollarë.

Ato u gjetën në një minierë të braktisur nga një arkeolog dhe u blenë nga 23-vjeçari, Kyle Hautner dhe Zip Stevenson, një veteran i tregut të xhinseve të cilësisë së mirë.

“Ne nuk kishim ndonjë plan për t’i blerë xhinset së bashku derisa filloi ankandi”, tha Stevenson për CNN.

Ato u shitën për 87 400 dollarë, një nga çmimet më të larta të paguara ndonjëherë për një palë xhinse.

Stevenson ka drejtuar një dyqan riparimi xhinsesh në Los Anxhelos për gati tri dekada, por ai kurrë nuk kishte gjetur një palë si këto të fundit.

“Këto xhinse janë jashtëzakonisht të rralla, veçanërisht në këtë gjendje të konsumuara dhe madhësi fantastike”, tha ai për CNN.

Ankandi u mbajt në Durango Vintage Festivus në periferi të qytetit të vogël të Aztec.

 


Shtuar 15.10.2022 21:18