“Më i kërkuari nga policia”, u arrestua sot në Tiranë, kush është Eduart Kurti: Vrau me plumb në kokë vëllezërit për borxhin 200 mijë euro

Eduart Kurti, autor i vrasjes së vëllezërve Iglent dhe Sokol Haxhialiu në vitin 2021, është arrestuar ditën e sotme (15 shtator) në zonën e Ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë.

Kurti, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, konsiderohej si një nga personat më të rrezikshëm.

Ngjarja për të cilën ai është shpallur fajtor nga Gjykata, ka ndodhur në rrugën “Irfan Tomini”, ku ai ka ekzekutuar me plumb në kokë dy vëllezërit Iglent e Sokol Haxhialiu, brenda makinës së tyre.

Menjëherë pas vrasjes, ai është larguar duke u ndihmuar nga një person tjetër dhe që nga ai moment, Policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij deri ditën e sotme, pas 11 vitesh arrati.

MOMENTI I ARRESTIMIT 

VËLLEZËRIT E VRARË

Dy vëllezërit që u ekzekutuan me plumba në kokë mbrëmjen e datës 1 dhjetor 2012 në Tiranë(Iglent Haxhialiu, 44 vjeç, dhe Sokol Haxhialiu, 41 vjeç, që njihej edhe me emrin Nikola) ishin pronarë të disa bizneseve në Tiranë dhe në Vlorë. Vëllezërit nga Berati, prej disa vitesh jetonin në Tiranë në zonën e ish-Bllokut dhe kishin në pronësi 3 apartamentet e katit të gjashtë të një pallati.

Iglenti ishte i martuar dhe në atë kohë dy djemtë e tij ishin njëri 17 dhe tjetri vetëm 1 vjeç. Ndërsa Sokoli (Nikola), i cili ishte duke drejtuar makinën tip “Mazda” me targë TR 9205 S kur ndodhi vrasja, ishte beqar. Viktimat kishin në pronësi një biznes bojërash dhe këtë aktivitet e ushtronin kryesisht në rikonstruksionin e pallateve, kryesisht në zonën e ish-Bllokut, gjithashtu merreshin edhe me shitblerje të pasurive të patundshme.

Ata posedonin edhe një hotel luksoz në zonën e Dhërmiut në Vlorë, paratë për ndërtimin e të cilit dyshohet se ia kishin marrë borxh, autorit të dyshuar të ngjarjes, Eduart Kurti. Prej disa muajsh, Kurti kishte nisur t’ua kujtonte borxhin dhe interesin prej 5 për qind, të shumës 200 mijë dollarë që ata i kishin marrë hua. Për këtë arsye dyshohet të ketë ndodhur edhe krimi i dyfishtë, në makinën me të cilën udhëtonin vëllezërit.

VRASJA

Iglent dhe Sokol Haxhialiu ishin nisur drejt Beratit mbrëmjen kur ndodhi ngjarja. Gjatë rrugës atyre u ka prerë rrugën Eduart Kurti, i cili ka hipur në makinë bashkë me ta. Makina tip “Mazda”, me targë TR 9205 S, drejtohej nga vëllai i vogël, Sokoli. Ndërsa vëllai i madh, Iglenti, i liroi sediljen e parë Eduart Kurtit, duke kaluar vetë në pjesën e pasme të makinës.

Sipas Policisë, përgjatë gjithë rrugës, nga zona e ish-Bllokut, kur në makinë ka hipur Kurti e deri në afërsi të rrugës “Irfan Tomini”, tek ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re ku ndodhi ngjarja, vëllezërit kanë debatuar me Kurtin në lidhje me borxhin që i detyroheshin.

Në debat e sipër, i dyshuari ka nxjerrë nga brezi një pistoletë “Miniblow”, me të cilën fillimisht ka qëlluar një herë në kokë Iglentin, që ndodhej në sediljen e pasme. Më pas ka qëlluar dy herë të tjera, në kokë dhe në qafë, Sokolin që ishte duke drejtuar makinën.

Pasi ka zbritur nga makina, autori është ndihmuar nga një person tjetër, duke u larguar nga vendngjarja. Sokol Haxhialiu është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku ka kaluar në vdekje klinike dhe më pas kë ndërruar jetë.