Vrull në biletari për këngët që bënë historinë
Pak ditë na ndajnë nga nata kur Pallati i Kongreseve do i rikthehet magjisë së muzikës shqiptare. Më 16 maj Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa e Besa Kokëdhima do të bashkohen në koncertin “Divat” për të mbërthyer publikun me më shumë se 25 këngë.

Ndërsa nata e koncertit po afron, interesi i publikut për ta ndjekur ‘live’ ka qenë i madh dhe ka pasur vrull për bileta.

Prej vitesh ankohemi për mungesën e muzikës së mirë, për cilësinë e muzikës, për këngët pa tekst e meloditë e vjedhura.

E ndërsa ankesat nuk kanë fund, si për të na kujtuar se çfarë është një shije e mirë muzikore, katër zëra të muzikës së mirë ngjiten në një skenë të madhe për të dhënë shembullin e tyre, shembullin që kanë ruajtur duke qëndruar larg kompromiseve që errësojnë karrierat muzikore dhe shijet e skenave si ajo e Pallatit të Kongreseve.


Mbrëmja ka rezervuar jo vetëm hitet e katër artisteve të njohura sipas një riorkestrimi nga emrat më të mire, nën kujdesin e Elton Dedës që është drejtori artistik i koncertit, por edhe perfomanca kërcimi, me të ftuar nga jashtë.

Ritmet, meloditë, zhanret dhe stilet janë sa të ndryshme aq edhe tërheqëse. Këngëtaret dhe organizatorët janë kujdesur deri në detaje që gjatë koncertit, veshjet e tyre të jenë të ndryshme, duke krijuar pothuaj një kostumografi që i shkon për shtat këngëve dhe kohëve në të cilën u krijuan.

Shtuar më 09/05/2018, ora 15:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori