Tensionet Kosovë-Serbi, Rama nesër në Bruksel, takim me Presidentin e Këshillit të BE-së

Pas letrës së dërguar ndaj presidentit francez dhe kancelarit gjerman për një shtysë të re nga BE për zbatimin e planit franko-gjerman si zgjidhje për tensionet Kosovë-Serbi, kryeministri Edi Rama niset nesër drejt Brukselit ku do të takohet me presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel.

Mësohet se çështja kryesore e diskutimit do të jetë normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nevoja për të ulur në një tryeze Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtin.

Por në të njëjtën ditë, Kosova dhe Serbia do të jenë kryefjalë edhe për shkak të takimit të ministrave të Jashtëm që do të mbahet në Luksemburg. Përfaqësuesi i lartë i BE, Joseph Borrel do të raportojë për situatën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe rrugën që do të ndiqet në ditët në vijim.

Në 27 Qershor, Charles Michel do të zhvillojë videokonferencë me krerët e shteteve të familjes europiane, ku do të trajtohen tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës.

Në tekstin e draftit të konkluzioneve i cili është përgatitur për t’u miratuar në takimin e liderëve të BE-së më 29-30 Qershor, Këshilli Evropian do të kërkojë dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit Shkurt si dhe aneksit të zbatimit të saj, të arritur në Ohër në muajin Mars.

Dy ditë më parë një konferencë për mediat, Rama i cili kërkoi lirimin e 3 policëve të Kosovës që mbahen të burgosur në Serbi, bëri me dije gjithashtu se i kishte dërguar një letër Macron dhe Scholz ku u kërkonte që të ndërhynin për të bërë të mundur zbatimin e planit franko-gjerman për Kosovën.


Shtuar 25.06.2023 10:56