Nga bizneset tek institucionet si do identifikohen konsumatorët e mëdhenj të energjisë

Qeveria synon të identifikojë të gjithë konsumatorët e mëdhenj të energjisë ku klasifikohen bizneset dhe institucionet që kanë një nivel konsumi prej 1 milionë kWh.

Në një udhëzim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë publikuar në Fletoren Zyrtare sanksionohet se Agjencia për Eficiencën e Energjisë është enti i ngarkuar me detyrën e identifikimit dhe regjistrimit të këtyre njësive.

Në të njëjtën fletore është publikuar edhe një tjetër udhët i cili parashikon planet e kursimit të energjisë po nga ky kontingjent duke parashikuar mënyrën sesi do të zbatohen masat për të arritur objektivat.

Konkretisht sa i takon konsumatorëve të mëdhenj udhëzimi nënvizon se AEE-ja i identifikon përmes disa formave ku ndër të tjera duke i kërkuar Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë por dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit brenda datës 31 janar një listë me klientët që kanë konsum mbi 0.5 milionë kWh.

Të gjithë konsumatorët që rezultojnë me një konsum më të madh se 1 milion kWh energji elektrike gjatë vitit paraardhës përfshihen në listën e konsumatorëve të mëdhenj të energjisë, që krijohet dhe përditësohet nga AEE-ja.

Agjencia kërkon brenda muajit shkurt të çdo viti nga konsumatorët që kanë konsumuar 0.5-1 milion kWh gjatë vitit paraardhës të paraqesin të dhëna lidhur me konsumin e burimeve të tjera të energjisë, nëse kanë, për vitin paraardhës. Konsumatorët i dërgojnë të dhënat e kërkuara sipas kësaj shkronje brenda datës 31 mars.

Në një pikë të tij udhëzimi përcakton se Agjencia mund të kërkojë nga subjektet sipas kategorisë ku bëjnë pjesë konsumin për sipërfaqe ndërsa për hotele apo çerdhe e kopshte konsumin për sipërfaqe dhe numrit të shtretërve apo netqëndrimeve. Të dhënat që merren nga Agjencia në funksion të krijimit të regjistrit të konsumatorëve të mëdhenj mund të publikohen duke ruajtur të dhënat kofidenciale të tyre.

Urdhri për planet e veprimit

Udhëzimi mbi identifikimin e konsumatorëve të mëdhenj i miratua nga ministria duket se lidhet ngushtë me një tjetër akt nënligjor që i takon ligjit për efecientë e energjisë që synon kursimin përmes zbatimit të planeve të veprimit.

Kjo ka të bëjë me planet e veprimit të këtyre konsumatorëve dhe arritjes së një objektivi të caktuar kursimi. Kjo do të thotë që secili prej tyre duhet të ketë një plan veprimi i cili ka të përcaktuar vitin dhe masat që do të merren duke përcaktuar një hark kohor 3 vjeçar. Zbatimi i tij gjurmohet nga Agjencia për Efecientë e Energjisë. Ky proces kryhet përmes raporteve të auditimit që ndërmerren për çdo konsumator të madh energjie.

Planet e energjisë hartohen nga menaxherët e energjisë, një hallkë që tashmë funksionon prej disa kohësh në vend. Ky plan mund të ndryshojë vetëm nëse bëhet një kërkesë pranë agjencisë ku përmblidhen masat që shtohen ose ndryshojnë si dhe objektivat e reja të kursimit. /monitor


Shtuar 7.09.2023 07:03