Moti i keq në Vlorë, policia apel drejtuesve të mjeteve lundruese: Mos dilni në det

Kjo fundjavë solli edhe ndryshimin e situatës meteorologjike në vend dhe tashmë kanë filluar reshjet e shiut dhe era.

Edhe në Vlorë, situata është e njëjtë dhe Policia Kufitare i ka bërë apel drejtuesve të mjeteve lundruese që të mos dalin në det.

Po ashtu u bëhet apel operatorëve turistikë që përdorin mjete lundruese të shmangin daljen në det gjatë ditës së sotme.

NJOFTIMI

Nisur nga situata meteorologjike që parashikohet për ditën e sotme, sipas së cilës pritet përkeqësim i motit dhe rritje e dallgëve në det, në përmasa të mëdha, të cilat mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pushuesve që lundrojnë me mjete lundruese turistike apo argëtuese, Policia Kufitare apelon:

Për pushuesit që duan të lundrojnë përgjatë ditës së sotme, me mjete lundruese turistike apo argëtuese, t’i shmangin këto aktivitete pasi deti ka dallgë me përmasa të mëdha që mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.

Gjithashtu, Policia Kufitare apelon për të gjithë operatorët turistikë që përdorin mjete lundruese, të shmangin daljen në det përgjatë ditës së sotme, pasi situata meteorologjike është e pafavorshme dhe mund të rrezikojë jetën e drejtuesve të mjeteve lundruese dhe të shtetasve në bordet e mjeteve, si dhe fundosjen e këtyre mjeteve.

 

Policia Kufitare e Vlorës dhe Njësia Policore Detare, përgjatë ditës së sotme, kanë kaluar në gatishmëri të plotë dhe do të jenë prezente me shërbime nga toka dhe deti, në funksion të rritjes së sigurisë së pushuesve.

 


Shtuar 5.08.2023 10:57