Shqipëria merr sot presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB, Rama: Historike! Të angazhuar që drejtësia dhe paqja të ecin krah për krah

Shqipëria do të marrë sot presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën do ta mbaj për 30 ditë.

Rama e ka nisur ditën me një videomesazh, ndërsa shprehet se kjo e sotmja është një ditë historike.

Rama shprehu se Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit dhe se Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht.

“Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim”, tha ndër të tjera Rama.

“Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme në më shumë se 50 konflikte përreth globit. Demokracia dhe të drejtat po spovohen rëndë në anë të ndryshme të botës. U bë shumë gjatë që shohim abuzime me të drejtat e njeriut nga Darfuri, Mainmar, nga Afganistni në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton për t’i vendosur autorët e krimeve të rënda, para përgjegjësisë.

Në Europë, plagët e luftës që pasun shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka për të ecuar përpara, pa e harruar të shkuarën, por të angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror të bazuar në rregulla.

Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh.

Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, pjesën tonë për të përmbushur.

Kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor, i kushtohet “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit. Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht.

Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim.

Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort”, tha Rama./albeu.com

 


Shtuar 1.06.2022 08:21