Ambasadori rus: Punëtorët e Koresë së Veriut do të ndërtojnë Donbasin

Koreja e Veriut mund të dërgojë punëtorë në dy territore të kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore, sipas ambasadorit të Rusisë në Phenian, një veprim që do të përbënte një sfidë për sanksionet ndërkombëtare kundër programit të armëve bërthamore të Veriut.

Sipas Guardian, ambasadori Alexander Matsegora tha se punëtorët e Koresë së Veriut mund të ndihmojnë në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar nga lufta në republikat e vetëshpallura popullore në Donetsk dhe Luhansk. Matsegora tha se kishte potencialisht “shumë mundësi” për bashkëpunim ekonomik midis veriut dhe republikave të vetëshpallura në rajonin e Donbasit të Ukrainës, pavarësisht sanksioneve të OKB-së.

Ai i tha gazetës ruse Izvestia në një intervistë, se “ndërtuesit koreanë shumë të kualifikuar dhe punëtorë, të cilët janë të aftë të punojnë në kushtet më të vështira, mund të na ndihmojnë të rivendosim objektet tona sociale, infrastrukturës dhe industriale”.

Komentet e tij vijnë disa ditë pasi Koreja e Veriut u bë një nga vendet e pakta që njohu dy territoret, duke akuzuar qeverinë ukrainase se është pjesë e qëndrimit “armiqësor” të Uashingtonit ndaj Phenianit.

Ukraina kishte pezulluar tashmë kontaktet e saj politike dhe ekonomike me Korenë e Veriut si pjesë e sanksioneve të udhëhequra nga OKB-ja që synonin t’i bënin presion Phenianit për të çmontuar programet e tij bërthamore dhe raketore balistike./albeu.com