Pakot me mbishkrimin “Boss” dhe “Louis Vuitton”, 29-vjeçari shqiptar kapet me miliona euro kokainë në Itali

Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi është kapur me 72 kg kokainë.

Sipas medieve italiane, shqiptari pa precedentë penalë ndodhej në Itali me leje turistike të vlefshme për 3 muaj.

Gjatë kontrollit të makinës policia i gjeti edhe tre tufa me kartëmonedha, me vlerë totale 30.000 euro.

Më pas policia zhvilloi kontroll në shtëpinë e 29-vjeçarit në rrugën via Gramsci dhe në garazh gjeti një makinë tjetër.

Në bagazhin e saj gjeti 48 pako me kokainë, të cilat sipër kishin të stampuar emrin “Boss” dhe “Louis Vuitton”.

Në një pjesë tjetër të makinës, u gjetën 9 pako me të njëjtën logo dhe dy tufa parash, nga 10 mijë euro secila.

Në total, policia gjeti dhe sekuestroi 72 kg kokainë e cila nëse do të hidhej në treg do të arrinte në 6 milionë euro.

Nga erdhi kokaina? 

Shumë herët për të thënë. Policia beson se, në bazë të sasisë dhe kujdesit të ambalazhit, ka ardhur direkt nga prodhuesit, pa ndërmjetës.

“Krimi shqiptar ka marrë një forcë të jashtëzakonshme ekonomike dhe nuk ka bashkëpunëtorë të drejtësisë në këto organizata”, thotë efektivi Guglielmo Battisti.


Shtuar 24.06.2023 14:21