“Oppenheimer”, filmi përkundrejt realitetit tonë bërthamor

Nga Harlan Ullman “The Hill

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Shtatëdhjetë e tetë vjet më parë, bombat e para atomike ranë në Hiroshima më 6 gushtin e vitit 1945 dhe në Nagasaki më 9 gusht të po atij viti. Rreth  200.000 japonezë gjetën vdekjen e menjëhershme.

Hiti veror “Openheimer“ e tregon këtë histori nga këndvështrimi i J. Robert Oppenheimer, drejtorit teknik të Projektit Manhattan në Los Alamos, New Mexico, që ndërtoi bombën atomike.

Por filmi nuk e rrëfen të gjithë historinë, duke e privuar publikun nga një kuptim më i gjerë i ndikimit nga ardhja e epokës bërthamore.

Për shembull, ai nuk tregon se si dhe pse u mor vendimi për përdorimin e këtyre armëve dhe pavarësisht keqardhjes së madhe të shprehur nga Oppenheimer pse u shndërrua në një “shkatërrues i qytetërimit”, kjo qasje do të bëhej e rëndësishme vetëm pasi shpërtheu bomba e parë me hidrogjen në vitin 1952.

Takimi i Shtëpisë së Bardhë ku u diskutua mbi përdorimin e këtyre armëve zgjati vetëm 1 orë. Alternativa ishte vazhdimi i luftës dhe pushtimi i ishujve japonezë. Por Operacioni Downfall siç quhej plani i pushtimit, vlerësoi se do të kishte të paktën 1 milionë viktima nga radhët e aleatëve dhe shumë herë më tepër për japonezët, duke pasur parasysh historinë e tyre të rezistencës vetëvrasëse.

Prandaj, pati pak debate për hedhjen e bombave. Pasi bomba “Little Boy” e rrafshoi Hiroshimën, kabineti japonez i luftës votoi pro vazhdimit të luftës. Por kur bomba e dytë

“Fat Boy” shkatërroi Nagasakin, ku banonte popullsia më e madhe e krishterë në Japoni dhe gjendeshin rreth 400 të burgosur lufte, kabineti i luftës u fut në një ngërç.

Ishte perandori ai që i dha zgjidhje situatës. Japonia do të dorëzohej pa kushte. Arsyeja ishte “tronditja dhe frika”. Njerëzit e kuptonin se mijëra bomba të hedhura nga avionët mund të shkaktonin një numër të pallogaritshëm vdekjesh dhe shkatërrimesh.

Por ishte e pakonceptueshme që atë masakër ta shkaktonte një bombë e hedhur nga një bombardues i vetëm. Nga ana tjetër japonezët nuk e dinin se sa armë atomike zotëronte SHBA dhe supozuan skenarin më të keq të mundshëm.

Prandaj, nga rezistenca vetëvrasëse, Japonia u trondit dhe kaloi tek skenari i kapitullimit të plotë. Dëmet nga bombardimet atomike dhe vdekjet e japonezëve pritej të mos ishin më të mëdha se sa sulmet me bombat konvencionale që binin mbi qytetet japoneze dhe gjermane.

Tokio dhe Nagoja, Hamburgu, Dresdeni dhe Berlini ishin goditur vazhdimisht me bomba të tilla. Luftanija japoneze “Haruna” u bombardua gjithashtu. Qindra mijëra civilë vdiqën në ato sulme, duke u zhdukur nën një zjarr po aq vdekjeprurës sa ato të shkaktuara nga bombat atomike, shumë më tepër sesa u vranë fillimisht në Hiroshima dhe Nagasaki.

“Enola Gay” ishte avioni B-29 që bombardoi Hiroshimën. Bombat bërthamore  të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki kishin një fuqi shpërthyese prej 20 kilotonë. Një kiloton është sa ekuivalenti i shpërthimit të 1000 tonë tritol.

Prandaj, dy bombat atomike secila kishin fuqinë prej 40.000 tonësh TNT dhe u krijuan nga ndarja bërthamore, pra nga ndarja e atomeve duke përdorur uranium-235 dhe plutonium-239. Më pas, armët bërthamore u panë si zgjatime më të fuqishme të armëve konvencionale dhe që kërkonin më pak sisteme shpërndarjeje.

Debati i ardhshëm mbi buxhetin e mbrojtjes së SHBA-së të vitit 1949 dhe super-aeroplanmbajtësve përkundrejt avionëve B-36 mbështetej kryesisht në supozimin se armët bërthamore nuk ishin ekzistenciale për shoqërinë.

Por epoka termonukleare e ndryshoi natyrën e luftës, duke konfirmuar frikën më të keqe të Robert Oppenheimer. Për të vetmen herë në histori, lufta ishte ekzistenciale, pra për jetë a vdekje për mbarë njerëzimin. Në një luftë termonukleare, duke supozuar se luftëtarët ruanin të ashtuquajturën aftësinë e “goditjes së dytë” për t’u kundërpërgjigjur plotësisht nëse goditeshin të parët, nuk do të kishte fitues por vetëm humbës.

Dhe ndarja e “përforcuar”, do ta rriste shumë fuqinë e armëve bërthamore. Një armë termonukleare bazohet në shkrirjen e atomeve. Fuqia e bombës së parë me hidrogjen ishte rreth 10 megaton. Një megaton është e barabartë me 1 milionë ton TNT (tritol), ose potencialisht 1000 herë më e fuqishme se një armë bërthamore normale.

Avionët B-29 mund të mbanin në bord një ngarkesë prej 20 tonësh. Dy mijë avionët B-29 mund të mbanin fuqinë e kombinuar shpërthyese të një bombe me fuqi A 20 kiloton. Por një bombë me hidrogjen 20 megaton do të kërkonte 2 milionë avionët B-29 për të shkaktuar të njëjtin nivel dëmtimi nëpërmjet municioneve konvencionale.

Pavarësisht nëse Oppenheimer kishte apo jo largpamësinë e duhur për të njohur pasojat e luftës termonukleare, është fakt që ai e kundërshtoi zhvillimin e këtyre armëve. Megjithatë, “xhindi bërthamor” kishte kohë që kishte dalë nga shishja.

Në rast se Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin vazhduar zhvillimin e këtyre lloj armëve, është gati e sigurt se po kështu do të kishte vepruar edhe Bashkimi Sovjetik, pasi Moska kishte vjedhur shumë nga sekretet tona bërthamore, njëra prej të cilave ishte “super bomba”. Por pyetja që shtroi Oppenheimer për armët që kërcënojnë njerëzimin është më e rëndësishme sot sesa deri dje. Sepse në dallim nga Lufta e Ftohtë, Kina nuk beson më siç  thoshte dikur Mao se “të kesh disa bomba atomike është mirë”. Së bashku me SHBA-në dhe Rusinë, mund të kemi jo 2 po 3 superfuqi bërthamore.

Britania e Madhe, Franca, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut, janë gjithashtu të armatosura me armë bërthamore siç është edhe Izraeli, që nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht statusin e tij. Një numër shtetesh mund të bëhen bërthamore në të ardhmen e afërt, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe për shqetësimin e SHBA-së edhe Republika islamike e Iranit. Në këto kushte, çfarë mund të bëhet për të parandaluar Apokalipsin (fundin e botës). Kjo mund të jetë çështja strategjike më emergjente e dekadave të ardhshme.

Shënim:Harlan K.Ullman, këshilltar në think-tankun “Atlantic Council” me seli në Uashington, dhe autori kryesor i doktrinës ushtarake të “tronditjes dhe frikës”.

 


Shtuar 11.08.2023 12:13

Tags: