U arrestuar për drogë, flet për herë të parë rreperi shqiptar
Pëlqej
Një muaj më parë në mediat shqiptare qarkulloi lajmi se reperi i njohur i këngës “Lalushe”, Defri Dervishi ishte arrestuar nga policia italiane. Ai u arrestua pas një operacioni për drogë që bëri policia italiane.

Mirëpo pas hetimeve të mëtejshme që u bënë rezultoi se këngëtari shqiptar ishte i pafajshëm dhe u la i lirë.

Ditën sotme në një intervistë për “Panorama Plus”, Defri ka folur për faktin se si e përjetoi arrestimin nga policia italiane, por edhe për jetën e tij luksoze.

“Në fillim, kur më arrestuan, e mora me sportivitet. Po tallesha me shokët dhe po qeshnim se siç ndodh në të gjithë botën të marrin për verifikim dhe pastaj të lëshojnë. Por kur unë lexova dosjen, të them të drejtën, u shokova se s’po kuptoja çfarë po ndodhte dhe për çfarë bëhej fjalë. Më mirë të mos i kujtoj. Unë s’kam pasur kurrë të tilla probleme në jetën time dhe normal që deri ditën kur dola, e përjetova shumë keq. Më keq akoma kur e di që po akuzohesh kot dhe në kohën që isha brenda mendoja për familjen dhe shumë projekte që kam në muzikë. E kështu, mezi prisja ditën që të dilja nga aty ku isha.”, ka thënë këngëtari.

Defri ka zbuluar në këtë intervistë edhe burimin e të ardhurave të tij, të cilat i sigurojnë atij një jetë luksoze.

“Unë dhe familja ime kemi punuar gjithë jetën me ndershmëri, duke qenë se jemi marrë me ndërtim dhe kemi 20 vite në Itali që bëjmë këtë punë. Kur u vërtetua e gjitha, që ne nuk kishim të bënim me këtë histori, por ishte një keqkuptim i disa takimeve të mia me persona të gabuar, drejtësia italiane e kuptoi si qëndronte e vërteta dhe normal që dolëm të pafajshëm siç është e vërteta. Kemi 20 vite që jetojmë në Itali dhe falë punës, që kemi bërë me vëllezërit, kemi arritur të ndërtojmë një nga firmat më të suksesshme të ndërtimit në zonën ku jetojmë dhe këtë gjë e dinë shumë mirë të gjithë njerëzit që na njohin. Dhe siç e dinë të gjithë, ndërtimi në Itali dhe kudo ka normal fitime për të bërë një jetë të mirë.”, zbuloi reperi i njohur.

Ndër të tjera Defri tha në këtë intervistë se prej kohësh ai e ka lënë punën në ndërtim dhe i është kushtuar muzikës ku po fiton të ardhura të shumta nga koncertet dhe dasmat që bën.

“Unë kam gati 10 vjet, ndërsa familja ime ka 20 vjet që jeton dhe punon në Itali. Në fillim kam punuar në ndërtim te firma e vëllait, derisa i hyra muzikës. Tani jetoj me muzikë nga koncertet dhe dasmat që kam.”, përfundon Defri.
Shtuar më 07/08/2018, ora 15:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori