Publikohen “bomba” të reja për kreun e LSDM-së, Zoran Zaev

Prokuroria Speciale, rastet dhe hetimet e tyre, janë pjesë e një “bombe” të re të publikuar. Dëgjohet zëri i Zoran Zaevit. Dy minuta dhe 11 sekonda ai flet vetëm për ligjin e prokurorisë, akuzat aktive të PSP-së, por edhe për hetimet për rastin “Talir 2” për ndërtimin e selisë së VMRO – DPMNE-së, dhe rastin “Regjistrimi” ku i dyshuari është lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Talir 2 po bie, bie edhe “Poshtenska Banka” po bien një sërë rastesh, bie edhe rasti i Ali Ahmetit dhe pothuajse i gjithë rreziku është ky”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev sqaron se me Ligjin e ri për Prokurorinë, i cili hyri në fuqi 11 ditë më parë, mbeten të gjalla vetëm 18 rastet për të cilat PSP-ja arriti të paraqesë akuza. Për hetimet që përfshijnë zyrtarë të dyshuar të BDI-së, bisedat e përgjuara nuk do të jenë më dëshmi.

“Kjo është e rëndësishme edhe për BDI-në dhe është një nga zgjidhjet që i kemi. Mbyllen me vetë ligjin. Gjithçka që është pas datës 30, mbeten të gjalla 18 lëndët”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Për këtë përgjim reaguan nga LSDM-ja. Nga kjo parti thonë se me këtë konfirmohet se Zaev ka luftuar që ligji për Prokurorinë të ketë mbështetje.

“LSDM dhe kryetari i saj Zoran Zaev vazhdimisht kanë luftuar për sigurimin e shumicës së dy të tretave në Kuvend, me çka sot lëndët e PSP-së vazhdojnë, edhe pse ajo Prokurori nuk ekziston më”, thonë nga LSDM.

Publikimi i përgjimeve jolegale në internet gjatë fushatës zgjedhore u bë praktikë e këtyre zgjedhjeve. Përveç për Zaevin, “bomba” ka edhe për liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski dhe për bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Aleksandar Nikollovski, Antonio Milloshoski dhe Igor Janushevi.


Shtuar 11.07.2020 15:09