Putin raportohet se vendosi ta pushtojë Ukrainën në mars të vitit 2021

Një raport hulumtues i gazetës online, Vyorstka, thotë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendimin për të pushtuar Ukrainën në fillim të marsit të vitit 2021.

Sipas raportit, i cili bazohet në intervista me burime të afërta me udhëheqjen ruse, Putini ka marrë këtë vendim pasi autoritetet ukrainase kanë konfiskuar asetet dhe mediat e kontrolluara nga politikani pro-rus i Ukrainës, Viktor Medvedchuk, në shkurt të vitit 2021.

Përgatitjet për pushtimin, i cili ka nisur në fund të shkurtit, 2022, kanë zgjatur një vit. Sipas raportit, Putin i ka bërë ato me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, miliarderin Yury Kovalchuk, mbështetës kryesor i idesë.

Kovalchuk e ka bindur Putinin se është koha e duhur për të nisur pushtimin, pasi Bashkimi Evropian po përballej me probleme të brendshme dhe mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, shkruan Vyorstka.

Një burim i ka thënë gazetës se Putin, fillimisht, ka planifikuar ta kërcënojë hapur Ukrainën me agresion, në artikullin e tij të diskutueshëm “Rreth unitetit historik të rusëve dhe ukrainasve”, të botuar në korrik të vitit 2021. Megjithatë, kërcënimi është hequr nga teksti në momentin e fundit.

Një tjetër burim i ka thënë gazetës se zyrtarë të lartë rusë kanë diskutuar në dhjetor të vitit 2021 se si Ukraina do të ndahet midis korporatave të mëdha ruse.

Raporti citon një person, të cilin Vyorstka e quan “mik i vjetër i Putinit”, të ketë thënë se ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, e ka mbështetur planin e Putinit, pasi ai ka qenë i sigurt se operacioni ushtarak do të jetë i shpejtë dhe i ngjashëm me aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, 2022.

Sipas Kombeve të Bashkuara, deri nga mesi i prillit, së paku 8.500 civilë ukrainas janë vrarë dhe më shumë se 14.000 të tjerë janë plagosur si rezultat i luftës.

Numri i saktë i viktimave ushtarake nuk dihet, por shumica e analistëve thonë se të dyja palët kanë humbur mijëra ushtarë në luftime./REL/


Shtuar 25.04.2023 21:25