Situata e tensionuar në veri, reagon Rama: Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm, aq më shumë lëndohet Kosova!

Të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, bëri të ditur misioni përmes një njoftimi për media. Kryeministri i vendit tonë, Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e krijuar dhe thotë se nga ky udhëkrye dilet vetëm me dialor.

Rama: Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova! Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm! Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!

Sipas KFOR-it, ushtarët janë trajtuar me kohë nga njësitë mjekësore dhe aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.

Ata bënë të ditur se pasditen e së hënës, njësitet e KFOR-it janë dërguar në 4 komunat e veriut të Kosovës “për të frenuar demonstratat e dhunshme të ndodhura pasi kryetarët e sapozgjedhur ditëve të fundit tentuan të marrin detyrën”.

Nga KFOR-i thanë se komandanti i misionit, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, personalisht po e përcjell zhvillimin e situatës./Albeu.com.


Shtuar 29.05.2023 21:43