Të gjithë dyshuan se është shtatzënë, Bieta Sulo: Parashikoj ta kem djalë (FOTO LAJM)

Mjaftoi një fotografi e Bieta Sulos me tullumbace rozë, që të gjithë të mendonin se ajo është shtatzënë për herë të dytë dhe madje në pritje të një vajze. Pas publikimit të fotos të gjithë fansat nisën të aludonin për një shtatzëni të mundshme e për më tepër disa prej tyre shpreheshin të bindur për këtë gjë duke e uruar moderatoren.

Mirëpo, Bieta nuk ka lejuar që dyshimet të vazhdonin për më gjatë dhe ka vendosur të tregojë si qëndron e vërteta pas fotos. Ajo ka shpjeguar se tullumbaci që ajo mban në dorë nuk fsheh asnjë mesazh shtatzënie dhe se e vetmja lidhje që mund të gjej me të është se pret të bëhet teze e një vajze.

Bieta shton se pati ëndrra të bukura me idenë e një fëmije të dytë dhe pse sipas parashikimeve të saj në të ardhmen mund të lindë sërish djalë.

“Mirëmëngjes me një foto pa tullumbace, se ky na i ngatërroi të gjitha. E vetmja lidhje që mund t’i gjej hamendësimeve është se pres me ditë të bëhem për herë të parë teze e një vajze, por e vërteta e fotos është më e thjeshtë: ai tullumbac më gjendej në shtëpi dhe plus që më shkonte me fustanin… po gjithsesi ëndrra të bukura pata me idenë e një fëmije të dytë, që do të doja ta kem vajzë, edhe pse parashikoj që do ta kem djalë”, shkruan Sulo.

Megjithatë fansave të moderatores nuk mund t’ju hedhim faj përderisa ka qenë vetë ajo që ka shprehur disa herë publikisht dëshirën për t’u bërë nënë për herë të dytë. “U dashka dhe vajza… ja ta mendojmë, ndoshta 2020 nuk dihet se çfarë sjell”, tha ajo në janar të këtij viti në emisionin e saj. Kaq shumë sa po shkruhet e flitet për Bietën dhe një shtatzëni të dytë, mundet që në një të ardhme të afërt Kroi Art të bëhet me një motër ose vëlla.

Shtuar më 19/09/2020, ora 11:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori