Akuzat e Berishës për biznesin e skafeve, reagon Çuçi: Sajesë e neveritshme, nuk më sfidon

Vdekja e 7-vjeçare nga skafi në Himarë ka sjellë përplasje mes kampit të opozitës dhe qeverisë. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i është përgjigjur akuzave të Berishës, se ai ka biznes skafesh.

Çuçi e ka mohuar duke thënë se nuk zotëron snjë biznes të tillë, duke shtuar se janë përpjekje të neveritshme për të përdorur ngjarjen tragjike, që të mbajë gjallë hallet e tij politike.

“Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone. I hedh poshtë me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike.

Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë.

Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij”, thotë në reagim Çuçi.

Ndërkohë, dje, zetari Klodian Tomorri ka publikuar dokumentin ku tregohet se Çuçi është pronar i subjektit ‘Albanian Sailing Club’./albeu.com

 


Shtuar 5.08.2022 10:15