“Do të vras djalin”, arrest me burg për 3 personat që kërcënun biznesmenin në Cërrik për tenderin 1 mln euro

Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç, dhe Shaqir Alcani, 62 vjeç kanë dalë sot para gjykatës për tu njohur me masën e arrestit.

Ata u arrestuan pak ditë më parë, pasi kërcënuan me jetë biznesmenin me bazë në Cërrik, Eral Myftari, për një tender 1 mln euro, që ky i fundit fitoi në bashkinë Tiranë.

Prokurori Kreshnik Ajazi e cilësoi të ligjshme masën e arrestit të tyre dhe i kërkoi trupit gjykues të caktohet për ta masa “Arrest me burg”, masë që u la në fuqi nga Gjyqtari Elis Dine.

Kujtojmë se Algerti në bashkëpunim me babanë e tij, Shaqir Alçani (pronar i kompanisë së druve Alcan) paguan dy persona me rekorde kriminale që të kërcënojnë me jetë biznesmenin dhe familjen e tij me qëllim që ai të tërhiqej nga tenderi publik.

Fituesi i tenderit Erald Myftari është shantazhuar nga Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç, dhe Shaqir Alcani, 62 vjeç. Mësohet se tenderi në fjalë ishte për lëndë drusore, dhe kishte vlerën e 1 milion eurove.

Sakaq ai nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij. Pas këtij momenti, Algert Alcani 27 vjeç dhe Shaqir Alcani 62 vjeç babë e bir kontaktuan dy persona me rekorde kriminale, që të kërcënojnë me jetë biznesmenin dhe familjen e tij me qëllim që ai të tërhiqej nga tenderi publik.

Këta persona janë Edmir Boci 37 vjeç i arrestuar tashmë dhe një person i katërt 38 vjeç, i cili është ende në kërkim nga policia dhe forcat RENEA janë në terren.

Shaqir Alcani rezulton pronar i firmës ‘Alcani sh.p.k.’. Kjo firmë ka përftuar 28 tendera, 13 prej tyre në bashkinë e Tiranës. Firma rezulton se kryesisht furnizonte me lëndë djegëse për ngrohje objekte arsimore.

Vlerave e tenderave të përfituara në përgjithësi nga kjo firmë nuk e kanë kaluar shifrën e 400 mijë euro. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin e përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare. Të arrestuarit akuzohen, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim. Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme./albeu.com/