Taksa ndaj Serbisë, Qeveria mblidhet sot për të diskutuar
Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje sot në orën 16:00.

Në takimin e sotëm pritet të përballen dy partnerët qeveritarë, të cilët po mbajnë qëndrime të ndryshme në lidhje me heqjen e tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit.

Kryeministri Kurti dëshiron të vendosë masat e reciprocitetit, e më pas ta heqë tarifën ndaj produkteve serbe, gjë që po kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkruan ekspress.

Zyrtarët më të lartë të LDK-së, përfshirë Isa Mustafën e Lutfi Haziri kanë deklaruar se në lidhje me këtë çështje duhet të veprohet në bashkërenditje dhe sipas kërkesave të SHBA-së.

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti vazhdimisht ka shkruar së fundmi që nuk duhet të rrezikohet partneriteti me SHBA-në dhe se duhet të hiqen pengesat e “vetëshkaktuara” për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

Gazeta Express, duke u bazuar në burimet nga Uashingtoni, ka raportuar se SHBA-ja i ka vënë Kurtit ultimatum që brenda kësaj jave ta heqë tarifën.

Kryeministri Kurti u ka dhënë përgjigje negative amerikanëve, ndërsa priten pasoja të rënda për partneritetin e Kosovës me SHBA-në.

Tërheqja e njohjes nuk është opsion, ndërsa priten të ndërmerren masa të tjera në lidhje me investimet dhe aktivitetet e tjera të shtetit amerikan në Kosovë përgjatë 20 vjetëve të fundit.
Shtuar më 27/02/2020, ora 14:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori