Përfundon raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, LDK fiton kryeqytetin

Në Kosovë u zhvillua në 21 komuna raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Pjesëmarrja qe më të ulët sesa në raundin  e parë. Afro 38 për qind e afro 1 milion e 270 mijë qytetarëve më të drejtë vote morën pjesë në balotazhin për kryetarë komunash.

Në raundin e parë shtatëmbëdhjetë komuna zgjodhën kryetarët e tyre në zgjedhjet që u mbajtën me 17 tetor, ndërsa, 21 komuna të tjera zgjodhen kryetarët në raundin e dytë këtë të diel duke e përmbyllur kështu rrethin e zgjedhjeve lokale për katër vitet e ardhshme.

Sipas të dhënave nga KQZ, kryeqyteti i Kosovës Prishtina, në katër vitet e ardhshme dhe pas tetë vjet qeverisjeje nga Vetëvendosja, do të udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kryetarin e ri Përparim Rama, që ishte në garë me kandidatin e Vetëvendosjes Arben Vitia, i cili deri para dy muajsh ishte ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Albin Kurtit.

Partia Vetëvendosje që udhëheq qeverinë qendrore, fitoi një qytet të madh atë të Gjilanit dhe tri komuna të tjera  më të vogla. Partia Demokratike e Kosovës PDK fitoi gjithsej në 9 komuna, duke e rikthyer qeverisjen në qytetin e dytë më të madh në Kosovë, Prizrenin, qytet ky që katër vitet e shkuara u udhëheq nga Vetëvendosja. Lidhja Demokratike e Kosovës e fitoi garën në kryeqytet Prishtinë dhe gjashtë komuna të tjera të Kosovës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, fitoi pesë komuna të Kosovës, duke përfshirë një qytet të madh atë të Gjakovës.

Lista Srpska, tashmë qysh në raundin e parë ka fituar në nëntë komuna të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Tri komuna të tjera u fituan, Malisheva nga Nisma për Kosovën, Obiliqi nga një nismë qytetare dhe Mamusha nga një parti e komunitetit turk KDTP.

Raundin e dytë të zgjedhjeve që u zhvillua në 21 komuna të Kosovës e ndoqën mbi 10 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtare. Sipas tyre “procesi nuk është përshkuar nga ndonjë incident serioz brenda qendrave të votimeve, që do të mund të cënonte integritetin apo besueshmërinë e tij”./DW


Shtuar 15.11.2021 08:36