Gratë që kanë lindur në fillim të të njëzetave rrezikohen nga goditja në tru, e thotë studimi

Nënat e reja dhe ato gra që kanë më shumë fëmijë janë të ekspozuar ndaj një rreziku më të madh të sulmit në zemër dhe goditjes në tru, ka treguar hulumtimi.

Shkencëtarët kanë zbuluar se femrat që kanë menstruacione të hershme, lindin fëmijën e parë në moshë të re dhe që kanë më shumë fëmijë, kanë më shpesh probleme kardiovaskulare, shkruan “Daily Mail”.

Ekspertët sugjerojnë që mjekët duhet t’i marrin parasysh këta faktorë së bashku me rreziqet konvencionale, si dieta e varfër dhe mungesa e ushtrimeve, kur vlerësojnë mundësinë e problemeve të zemrës tek gratë.

Ata paralajmëruan se trajtimi i problemeve të zemrës, si një sëmundje që prek kryesisht meshkujt, u kushton jetën grave. Sëmundja koronare e zemrës vret dy herë më shumë gra se kanceri i gjirit çdo vit, dhe më shumë se 800,000 gra në Mbretërinë e Bashkuar po luftojnë me sëmundjen.

Në studimin më të madh se si faktorët riprodhues mund të ndikojnë në shëndetin e zemrës së grave, studiuesit nga Imperial College London, Cambridge dhe Yale School of Public Health analizuan të dhënat nga më shumë se 100,000 gra.

Ata zbuluan se lindja e parë e hershme, numri më i lartë i lindjeve të gjalla dhe menarkia e hershme shoqëroheshin me rrezik më të lartë të fibrilacionit atrial, sëmundjes së arterieve koronare, dështimit të zemrës dhe goditjes në tru.

Megjithatë, nuk kishte asnjë lidhje midis moshës në menopauzë dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Gratë shpesh keq karakterizohen si me rrezik të ulët për sëmundje kardiovaskulare, gjë që çon në një vonesë në diagnozën, thonë autorët e studimit.


Shtuar 2.03.2023 23:37