“Serbia është regjim autokratik i lidhur me Kremlinin”, Kurti: Ideja për shkëmbim territoresh nuk ka vdekur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve në intervistën e tij për Al Jazeera.

Kurti ka thënë se është i sigurt se Vuçiq ka nostalgji për ato kohë, por projekti i shkëmbimit të territoreve ka dështuar. Megjithatë, Kurti ha se është i sigurt se ideja s’ka vdekur. Më tej Kurti shtoi se shkëmbimi i territoreve s’do të ndodhë pasi është një formulë për luftë.

“Unë jam shumë i sigurt që presidenti i Serbisë është nostaligjk për ato kohë. Që do të thotë se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar. Por përsëri, ideja s’ka vdekur. Por nostalgjia s’është një ndjenjë me të cilën mund të bëjmë progres. Shkëmbimi i territoreve s’do të ndodh, shkëmbimi i territoreve është formulë për luftë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Për Kurtin kufijtë etnik s’janë zgjidhje, por sipas tij ajo që është e nevojshme është shtetet që kanë raporte normale dhe demokraci gjithashtu. Kurti theksoi gjithashtu se problemi qëndron tek Serbia si një shtet autokratik që ka lidhje me Moskën.

“Kurrë s’mund të kesh kufij perfekt etnik. Gjithmonë do të ketë njerëz që do të mendojnë se janë në anën e gabuar. Çfarë kemi nevojë është Republika që kanë raporte normale dhe demokraci me to. Demokracitë s’e luftojnë njëra-tjetrën. Tensionet që i kemi me Serbinë janë sepse ne jemi vend demokratik dhe Serbia është regjim autokratik me lidhje të afërta me Kremlinin”, tha Kurti për Al Jazeera./GazetaExpress


Shtuar 7.01.2023 16:28