Lufta ndaj pastrimit të parave, hapet drita jeshile për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, futet Kroacia

Shqipëria ka marrë dritën jeshile për daljen nga lista gri në seancën plenare të Task Forcës për Veprim Financiar (FATF), që u mbajt më datë 23 qershor në Paris.

Mësohet se FATF ka marrë në konsideratë ecurinë e mirë të vendit në drejtim të legjislacionit, efekteve parandaluese të tij në drejtim të pastrimit të parave si edhe veprimtarinë e institucioneve të vendit për efektivitetin e zbatueshmërisë së ligjit.

FATF bën me dije se pas marrjes së dritës jeshile për heqjen e vendit nga lista gri për pastrimin e parave, në Shqipëri pritet që gjatë muajit gusht të organizohet një vizitë e përfaqësuesve të FATF, një procedurë e cila është kryesisht rutinë në raste të tilla.

Pas kësaj vizite, në kalendar parashikohet që vendimi final të merret gjatë mbledhjes së FATF në muajin shtator të këtij viti ku edhe do të shpallet më pas, ndërsa do të ndryshohet edhe vendi i renditjes së Shqipërisë.

Ky është një proces i rëndësishëm për vendin për shkak të ndikimeve pozitive që ka në drejtim të rritjes së investimeve të huaja në vend, uljen e kostove të transaksioneve bankare jashtë vendit, si edhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Vlen të theksohet fakti se nga çfarë është raportuar deri më tani në raportet e FATF, në listën gri është futur Kroacia, i cilësuar një vend që ka bërë hapa pas në drejtim të luftës kundër pastrimit të parave.

Në raportin e fundit, Moneyval theksonte se Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm masat në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. /albeu.com


Shtuar 26.06.2023 17:09