EMRI/ “Ka abuzuar me mua”, denoncimi i të miturës çon pas hekurave një tjetër person të lidhur me vrasjen e Luljetës te Ura e Dajlanit

Policia, pas hetimeve të thelluara të ngjarjes së Durrës, ku poshtë Urës së Dajlanit u gjet e pajetë 32-vjeçarja Luljeta Preza, ka vënë në pranga një 24-vjeçar te identifikuar sio Eridon Patli

I riu është denoncuar nga një 15-vjeçare për shfrytëzim prostitucioni gjatë kohës që bashkëjetonin. 15 vjeçarja është një nga 3 vajzat e vëna nën hetim për ngjarjen e dy ditëve më parë, për akuzën moskallëzim të krimit.

Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të proceduar penalisht për vrasjen e shtetases L. P., 32 vjeçe, trupi i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, më datë 02.08.2023, rreth orës 10:35, ju bëjmë me dije se:

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 02.08.2023, ka kallëzuar shtetasja 15 vjeçe, e proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ditën e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Deluzion”, se gjatë kohës që ka bashkëjetuar me shtetasin E. P., ky i fundit e ka shfrytëzuar për prostitucion.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Lexo KËTU gjithçka për vrasjen e Luljetës

Kujtojmë se në lidhje me ngjarjen janë arrestuar dy autorët e dyshuar të ngjarjes, Aldo Brahimi, 22 vjeç, banues në Lushnjë dhe Ylli Grabovari, 45 vjeç, banues në Durrës.

Shkak i vrasjes është bërë një konflikt i çastit, pasi Luljeta së bashku me dy autorët dhe tre shtetase tashmë nën hetim kishin konsumuar kokainë.

Pas konfliktit, Brahimi dhe Grabovari e kanë qëlluar me thikë duke e lënë të vdekur mes baltës.

Gjetja e trupit

Dy ditë më parë  policia njoftoi se kishte gjetur trupin e një shtetaseje endacake. Uniformave blu iu deshën disa orë për ta identifikuar dhe për të konstatuar se vdekja nuk kishte ardhur nga shkaqe natyrale, por ishte vrarë.

Shoqërimi i 17 personave

Pas gjetjes së trupit, policia shoqëroi 17 persona të cilët mund të kishin informacion për ngjarjen. Pasi u morën në pyetje ata u lanë sërish të lirë, por mësohet se u ishte vendosur përgjues. Ky detaj bëri të mundur edhe zbulimin e dy autorëve të dyshuar të cilët sapo ishin larguar nga ambientet e komisariatit u shprehën “Shpëtuam për mrekulli”. Ka qenë kjo bisedë që ka çuar më pas në pranga Ylli Grabovarin dhe Aldo Brahimi, të cilët më pas kanë pranuar krimin.

Jeta e vështirë e Luljetës

Gazetarja Anila Hoxha tregoi jetën e vështirë të Luljetës, e cila të vetmen gjë e vlerë kishte trupin e saj, të cilin ishte detyruar “ta shishte”. Shtëpia e Luljetës ishte një copë kartoni poshtë urës, ndërsa lekët që fitonte i përdorte për të ngrënë dhe për të blerë drogë.

32-vjeçarja kohët e fundit lëvizte këmba dorës pasi ishte përplasur nga makina dhe nuk mund t’i lëvizte gjymtyrët e poshtme plotësisht.

Shkaku i ngjarjes

Mësohet se mes Luljetës dhe dy të arrestuarve ka nisur një konflikt. Dy personat i kanë kërkuar paratë e mbledhura, por asaj i janë dashur për t’u kuruar pasi kishte pësuar një aksident në Durrës disa ditë më parë dhe ka dashur të mbajë një pjesë të parave, por ata nuk kanë pranuar.

Pas konsumimit të lëndëve narkotike kokainë, konflikti ka degraduar në dhunë, teksa dy të arrestuarit e kanë goditur me thikë Prezën dhe e kanë lënë të vdekur në vend.

 


Shtuar 4.08.2023 10:44