Moti i keq, evakuohen mijëra persona në Norvegji për shkak të përmbytjeve

Norvegjia ka evakuuar mijëra njerëz pasi lumenjtë u ngritën në nivelet më të larta në 50 vjet dhe shtëpitë dhe bizneset u zhytën ose u lanë.

Rrugët kryesore u mbyllën dhe shërbimet e trenave u pezulluan në pjesë të mëdha të shtetit norvegjez pasi lumenjtë dolën nga brigjet e tyre. Autoritetet kanë paralajmëruar për përmbytje të mëtejshme që mund të pasojnë në ditët në vijim, pasi uji lëviz drejt zonave të ulëta bregdetare.

Qarku Inlandet, një nga zonat më të goditura, njoftoi se një numër njerëzish ishin të izoluar nga përmbytjet dhe se shërbimet e urgjencës mund të mos jenë në gjendje të arrijnë menjëherë të gjithë në nevojë.

“Ne jemi në një gjendje të jashtëzakonshme të përmasave kombëtare”, tha kryetari i bashkisë së Inland Aud Hove.

Qeveria ka vendosur të mobilizojë më shumë helikopterë për evakuim, njoftoi Ministria e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike për TV2.

Autoritetet norvegjeze thanë se nuk ka pasur viktima deri më tani. Erërat e forta, shiu i dendur dhe rrëshqitjet e dheut kanë goditur ditët e fundit Finlandën dhe Suedinë.


Shtuar 9.08.2023 23:32