Shkurta dhe Gresa, këngë për fëmijët e braktisur
“Një adresë në një letër, një trokitje n’derë të vjetër, një takim mbas shumë vitesh i jep zemrës rrahje tjetër”, janë vargjet e këngës “A je ti ajo” me të cilën Shkurtja dhe Gresa po bëjnë bujë në skenën muzikore.

Dy këngëtaret, nënë dhe bijë, kanë për qëllim që me anë të kësaj kënge të zbusin sado pak dukurinë e braktisjes së fëmijëve. “Artisti ka obligim që ta transformojë apo ndryshojë shpirtin e dëgjuesit. Kjo ide që është ndërtuar në këtë tekst të këngës ‘A je ti ajo’ ka një dhembje, një ndjesi-shqetësim që në shoqërinë tonë ndodhin këto gjëra dhe kam pasur dëshirë të jem unë ajo që me anë të këngës ta sensibilizoj opinionin që të jenë më të ndjeshëm dhe më të kujdesshëm ndaj këtyre rasteve”, është shprehur Shkurta për ‘Zëri’.

Kënga “A je ti ajo” kushtuar fëmijëve të braktisur, ishte ideja e autorit të tekstit e frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, por natyrisht personi mbetet anonim, me kërkesën e autorit dhe pikërisht Shkurta dhe Gresa e kanë parë të arsyeshme ta këndojnë pasi që janë nënë e bijë në mënyrë që ta shfaqin sa më realisht këtë ngjarje të dhimbshme.

Edhe Gresa mendon se në Kosovë ka mjaftë shumë fëmijë të braktisur dhe në këtë formë mendon se mund edhe të kontribuojë. “Mendoj se ka shumë fëmijë të braktisur dhe unë si artiste bashkë me mamin jemi munduar gjithmonë të japim kontributin tonë në koncerte të ndryshme në ndihmë të këtyre fëmijëve dhe do të jemi të gatshme gjithherë që të kontribuojmë për ta” ka thënë Gresa.

“Fëmija është dhuratë nga Zoti dhe besoj që ky mesazh që jepet në këtë këngë të jetë sensibilizim për shoqërinë tonë në mënyrë që të jemi sa më afër këtyre fëmijëve dhe t’i përkrahim ata”, shton Shkurta.

Kompozimin e këngës e ka bërë Fatmir Muja, orkestrimin Shpëtim Gashi e realizuar nga “FM Produksion”, me regji të Rexhep Ibrahimit. Videoklipi është përgatitur në Kosovë dhe në Shqipëri, ku pjesë e saj është edhe aktorja e njohur shqiptare Margarita Xhepa.

“Klipi është realizuar nga “FM Produksion” dhe është xhiruar një pjesë në Kosovë, gjegjësisht pjesa jonë, ndërsa pjesa e aktorëve në Shqipëri, ku shfrytëzoj rastin ta falënderoj aktoren e madhe shqiptare Margarita Xhepa, e cila ia dha madhështinë këtij klipi me interpretimin e saj”, është shprehur Shkurta, e cila këtë këngë e konsideron më të suksesshmen që e ka realizuar me të bijën deri tani, ndërsa të njëjtin mendim e ka edhe Gresa.

“Kur artisti zërin e vet si artist dhe idetë e veta i shfrytëzon në shërbim të popullit dhe të temave që e shqetësojnë shoqërinë të cilës ai i përket, natyrisht se gjithherë do të ketë sukses dhe kjo ka ndodhur pikërisht me këngën ‘A je ti ajo’”, thekson Shkurta. /zëri/
Shtuar më 12/04/2012, ora 18:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori