Artan Hoxha: Alqi Bllako nuk ndodhet në asnjë institucion ligj zbatues

Gazetari investigativ Artan Hoxha, në një lidhje me emisionin “Log.” në Abc të gazetarit Endri Xhafo, ka zbuluar se pavarësisht urdhër-arrestit të lëshuar për ish-deputetin Alqi Bllako, personi nuk ndodhet në asnjë nga institucionet ligjzbatuese.

Hoxha tha se është interesuar në SPAK por nuk ka asnjë konfirmim mbi vendndodhjen e ish-deputetit Bllako. Ndërsa shtoi se gjatë komunikimit me avokatin e tij Sokol Hazizaj, ka mësuar nga ky i fundit se Bllako përfaqësohet me një prokurë prej ditës së djeshme, dhe se nuk ka kryer asnjë veprim vetë, duke nisur nga dorëzimi i mandatit.

Gjithashtu Hoxha tha se është interesuar personalisht në Drejtorinë e Burgjeve dhe Drejtorinë e Policisë së Tiranës, por në asnjë nga institucionet nuk ndodhet i ndaluar Alqi Bllako.

Pjesë nga biseda telefonike:

Hoxha: Duke filluar që nga SPAK-u nuk reagon zyrtarisht se cila është gjendja e personit Alqi Bllako, është ndaluar, është arrestuar, apo është larguar. Ai e ka telefonin e fikur. Unë u takova me avokatin e tij, i cili është i pajisur me prokurë nga avokati i vetë por nuk ka pasur kontakt. Dje e ka marrë prokurën. Kjo e bën qesharake situatën. Është e vërtetë se ai është i biri i një polici të vjetër. Kjo është situatë sa komike dhe tragjike. Do të ndodhë e njëjta gjë siç ndodhi me kryeprokurorin Adriatik Llalla, që do të thotë se policia duhet ta mbante nën mbikëqyrje.

Xhafo: Sa kohë i duhet që të shpallet në kërkim ndërkombëtar, siç ndodhi me zotin Llalla i cili u arrestua në Itali?

Hoxha: Zoti Llalla nuk u arrestua fare. Policia duhet të ushtrojë kontrollet në të gjitha adresat, të kontrollojë pikat kufitare dhe më pas mund të shpallet në kërkim ndërkombëtar. Gjithë ditën u tha se ai u dorëzua. Kam komunikuar me Drejtorinë e Burgjeve, më Drejtorinë e Policisë së Tiranës, dhe të dyja këto institucione më konfirmojnë se ky person nuk është i ndaluar.


Shtuar 31.03.2022 23:24